Lajme

Sarrazin: Kosova në BE, NATO e organizata të tjera, përmes rrugës së përcaktueshme nga dialogu

04/27/2022 16:07
nga:Astrit Gashi

I Dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, vlerëson se mosmbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka përçuar porosi jo të mira kundrejt bashkësisë ndërkombëtare.

Edhe anëtarësimi nëpër organizata ndërkombëtare – si Këshilli i Evropës – për Kosovën sipas tij lidhet me Serbinë, përmes procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Sa i përket anëtarësimit të ardhshëm të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare: rruga e Kosovës drejt BE-së, NATO-s dhe të tjerave do të jetë e përcaktueshme nga dialogu i suksesshëm. Nuk mund të ketë pistë për procedurë të shpejtë të tij”, është shprehur Sarrazin në intervistë për KlanKosova.tv.

Ky proces që zgjat mbi një dekadë, sipas emisarit gjerman, është shtegu i vetëm për ndërkombëtarizmin e asaj që Kosova aspiron.

Përgjigje ai i jep edhe çështjes nëse duhet të përdoret lufta në Ukrainë që të shtyhet përpara proceset për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për liberalizimin e vizave për kosovarët ku thekson se do të duhej të ndodhte shumë kohë më parë.

“Pozicioni i Gjermanisë është shumë i qartë dhe po ashtu është i përmendur në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë sime: ky hap është shumë i vonuar”, tha Sarrazin.