Lajme

Sarrazin: Nëse Samiti i Berlinit dështon të sigurojë treg të përbashkët rajonal, menjëherë vjen ‘Ballkani i Hapur’

09/14/2024 08:06
nga:Y I

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka shprehur shqetësim se nëse Samiti i Berlinit që do të mbahet më 14 tetor dështon të sigurojë një treg të përbashkët rajonal, mund të riaktualizohet ideja e “Ballkanit të Hapur”.

Sipas Sarrazin, kjo nismë është krijuar për ta anashkaluar Kosovën.

“Nëse ky samit nuk mbahet, nëse nuk sigurohet tregu i përbashkët rajonal dhe plani i madh i komisionit evropian që të ketë sukses dhe një gurthemel i kësaj do të jetë samiti më 14 tetor në Berlin, sigurisht që menjëherë vjen Ballkani i Hapur. Pra, Ballkani i Hapur është krijuar për ta anashkaluar Kosovën. Ne, kemi filluar të punojmë ashtu që Kosova të jetë në të njëjtën tryezë, me të njëjtat të drejta, me të njëjtin nivel si të tjerët. Duhet të ecim përpara, nuk mund ta lëmë gjithë rajonin që të presë për këtë bashkëpunim. Nuk mund të rrezikojmë tregun e përbashkët rajonal dhe nuk mund të ketë sukses Procesi i Berlinit. Pra nuk është në interes të Kosovës, por as tonin”, është shprehur Sarrazin.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në samit është e rëndësishme për të garantuar që vendi të ketë të drejta të barabarta në tryezën e bisedimeve.

Sarrazin ka theksuar se nëse Kosova refuzon të heqë ndalesat e mallrave, mund të përballet me pasoja të rënda, duke përfshirë mundësinë e përjashtimit nga mekanizmat e ardhshëm dhe ndikimet negative në integrimin në BE.

“Unë vijë nga një prapavijë politike që është shumë pro Kosovës. Ne jemi angazhuar për pavarësinë e Kosovës që nga dita e parë, edhe para vitit 2008 dhe ndoshta e mbani mend edhe angazhimin tim personal kur ka pasur debate për atë këmbimin e territoreve dhe shumë debateve tjera, por duhet ta them qartë se sigurisht se do ta nderojmë flamurin dhe shtetin e Kosovës, sigurisht se do të ftohen të gjithë. Çështjet protokolare do të jenë të njëjta, edhe në darkën e Krishtlindjeve, por nëse duan të marrin pjesë në ato dhuratat e Krishtlindjes, atëherë duhet të marrin vendime. Pra, nuk mund t’i japim dhurata atyre që nuk e duan Babadimrin. Pra, duam ta zhbllokojmë gjithë procesin, jo vetëm të mbajmë një samit sa për sy e faqe. Pra, në njërën anë na duhet Kosova të jetë pjesë e tryezës ose do të vazhdojmë tryezën pa Kosovën. Një mekanizëm të ndërsjellë që do të nënshkruhet pa Kosovën, pra të merren vendime për pesë anëtarë e jo për gjashtë”, ka shtuar emisari gjerman.

Ai ka folur edhe për pasojat e Kosovës në rast se nuk vepron konform këshillave gjermane për CEFTA-n.

“Marrëveshja është në tryezë. Nëse Kosova nuk e shfrytëzon këtë nuk do të arrijë gjërat e tjera në atë tryezë. E kemi bërë të qartë se ky mekanizëm e ka mundësinë që Kosova të kthehet në një moment të mëvonshëm, por që pastaj çmimi është më i lartë. Nganjëherë është më mirë të nënshkruash marrëveshjen se sa të presësh më vonë, sepse mund të lëvizë edhe çmimi. Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkangjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së. Konkretisht për Kosovën mund të jetë pengesë në atë planin CEEPA. Pasojat, pra mund të jenë për popullin, për qytetarët. Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët. Por, kjo nuk është goditje kundër Kosovës, por është nevojë urgjente për të ecur tutje në këtë bashkëpunim rajonal. E përsëris, duam që Kosova të jetë në tryezë, është ideologji e jona si Gjermani. Është agjendë që ta bëjë këtë, por Gjermania nuk mund ta presë Kosovën, nëse nuk arrin të bëjë marrëveshjen”, ka nënvizuar Sarrazin për RTK.