I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarazzin, tha sot, në fund të vizitës së tij në Beograd, se tani është koha që Serbia të afrohet edhe më shumë me Gjermaninë dhe BE-në, duke shtuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të shpresojnë për përparim pa normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të dialogut të Brukselit, raporton Gazeta Blic.
Sarazzin tha se në Beograd ka mbërritur me porosinë se qeveria aktuale në Berlin e ka pasur që në fillim, e ajo është se dëshiron që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë të ardhme në BE.
“Ne duam të inkurajojmë procesin e zgjerimit dhe gjithashtu duam të tregojmë qartë përkushtimin tonë ndaj procesit të Berlinit”, shpjegoi ai, përcjellë Gazeta Blic.
I pyetur nëse ka ndonjë gjë që Gjermania insiston kur bëhet fjalë për integrimin evropian dhe i referohet çështjes së Kosovës, Sarazzin tha se “as Kosova dhe as Serbia” nuk mund të shpresojnë për përparim, pa arritur normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të dialogut të Brukselit.
I dërguari gjerman theksoi se Berlini shpreson që Serbia t’i përmbushë pritjet e saj në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, siç shtoi ai, të paktën gradualisht.
Ai tha se edhe Gjermania po ndjek reformat dhe dëshiron që Serbia të bëjë përparime shtesë dhe të jetë edhe më e mirë në fushën e sundimit të ligjit, pluralizmit mediatik dhe kulturës politike.
I pyetur se çfarë përshtypje ka fituar për Serbinë, pas bisedimeve në Beograd, Sarazzin tha se është e qartë se “jemi në një pikë kthese sa i përket “politikës së madhe”, pra politikës së jashtme”.
“Lufta e tmerrshme në Ukrainë po ndikon edhe në politikën serbe. Por ne ende nuk mund të vlerësojmë se cilat do të jenë pasojat konkrete dhe në cilën rrugë do të shkojë vendi drejtë BE-së. Është e qartë se e vetmja rrugë dhe e ardhme e drejtë për Serbinë është në BE”, tha ai.
Sarazzin theksoi se tani është koha që Serbia t’i afrohet Gjermanisë dhe BE-së.
“Kam përshtypjen se shumë aktorë janë ende të pasigurt se si do ta bëjnë këtë. Do të jetë interesante të ndiqet më tej situata,” tha ai, përcjellë Gazeta Blic.


