Lajme

Sanohet në përgjithësi binari hekurudhor pas vërshimeve

01/08/2026 10:49
nga:G B

Pas reshjeve të mëdha dhe situatës emergjente të shkaktuar nga vërshimet, Infrakos ka njoftuare se gjendja e binarit hekurudhor është sanuar në përgjithësi.

Nga momenti i vërshimeve, Infrakos, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se me mjete vetanake dhe me ekipet profesionale të Mirëmbajtjes së Linjave Hekurudhore (MLH) kanë qenë të angazhuara intensivisht në evitimin e disa pikave kritike të rrjedhës së ujërave të shkaktuara nga vërshimet.

Përgjatë kësaj situate, bëhet e ditur se ekipet e ndërmarrjes janë në terren për vëzhgim të detajuar të binarit dhe për intervenime shtesë në disa segmente ku mund të ketë dëme si pasojë e rrjedhës së madhe të ujërave.

Linja Prishtinë – Pejë aktualisht është e kalueshme, me disa kufizime të shpejtësisë, për arsye sigurie.

“Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes së linjës hekurudhore, me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur dhe garantimin e sigurisë së komunikacionit hekurudhor”.