Sporti

Sanchez nga ‘Marca’: Moreno u shoqërua me polemika në Spanjë, por do të ishte nënshkrim i mirë për Kosovën

12/14/2023 10:56
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri, pasi ndau rrugët me Primoz Glihan pas përfundimit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Robert Moreno është një nga trajnerët e lidhur me stolin e trajnerit te “Dardanët”. 46-vjeçari është i papunë që nga marsi i vitit të kaluar, kur u largua nga Granada. Më herët ka qenë trajner edhe te Monaco.

Moreno ka udhëhequr edhe me Kombëtaren e Spanjës. Te “Stuhia e Kuqe” ai ka punuar edhe si ndihmës-trajner gjithashtu. Para se të niste me punën e trajnerit, Moreno si ndihmës-trajner ka punuar edhe te Roma, Barcelona dhe Celta Vigo.

Tek kombëtarja e Spanjës ishte përballur me disa polemika në lidhje me trajnerin Luis Enrique, gjë e cila kishte shkaktuar diskutime të mëdha.

Gazetari i Marca, Juanmi Sanchez është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku deklaroi se Moreno ishte pjesë e polemikave në Spanjë, kurse ka një stil tipik spanjoll të lojës, me shumë kombinime dhe duke ndërtuar një skuadër poashtu të fortë nga krahët.

Ai ka pasur disa polemika këtu në Spanjë. Ai është i lidhur shumë në stilin e futbollit spanjoll. Atij i pëlqen që ekipi i tij të ketë topin, të ketë kombinime dhe të arrijë në zonën kundërshtare, duke luajtur shumë topin dhe duke qenë i rrezikshëm nga krahët. Ai ka shumë përvojë, edhe pse pak në klube. Mendoj se ai do të ishte një nënshkrim i mirë për Kosovën“, deklaroi Sanchez.

/GazetaBlic Sport/