Sporti

“San Siro” do të jetë ‘ferr’ i vërtetë sonte për Liverpoolin”

09/17/2024 14:06
nga:Mergim Rreci

Emocionet e Ligës së Kampionëve rikthehen përsëri.

Edicioni 2024/2025 fillon zyrtarisht mbrëmjen e sotme, me disa super ndeshje që do të luhen në kompeticionin e kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.

Kryendeshja do të zhvillohet në Itali, atje ku AC Milan dhe Liverpool do të përballen në ‘San Siro’. Përballjet mes dy skuadrave kanë qenë gjithmonë spektakolare, duke dhuruar shumë gola e spektakël.

Gazetari pranë skuadrës së Milan, Pietro Balzano Prota, është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ para këtij takimi, ku tha se Milani është në kërkim të identitetit nën urdhërat e trajnerit të ri, por që pret që ndeshja të jetë spektakolare.

“Nuk do të jetë një sfidë e lehtë për Milanin. Kuqezinjtë janë një skuadër në ndërtim, duke u përpjekur të gjejë një identitet me idetë e trajnerit të ri. Pas një fillimi të vështirë, erdhi fitorja e pastër ndaj Venezia, e cila është e mirë për moralin dhe mendjen. Liverpooli nuk e ka më top personazhin e tij të vërtetë, Jurgen Klopp, por është një ekip i fortë me cilësi të madhe, do të jetë një ndeshje spektakolare”, tha fillimisht ai.

Tutje, ai tregoi edhe për atmosferën që pritet të mbretërojë në ‘San Siro’, ku sipas tij do jetë një ‘ferr’ për kundështarin anglez.

“Sa i përket atmosferës nuk kam asnjë dyshim, do të jetë ‘ferr’ për kundërshtarin. ‘Curva Sud’ (Tifo-grupi i Milanit) e di se çfarë duhet të bëjë kur ka ndeshje të tilla. Do të jetë një spektakël brenda spektaklit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/