Nesër në Tiranë do të mbahet samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.
Tirana nesër do të jetë nikoqire e liderëve të Evropës, derisa ata pritet të mbërrijnë atje në orën 09:30, ndërsa gjysmë orë më vonë pritet të nënshkruhet marrëveshja roaming.
Në këtë samit do të jetë e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është nisur sot drejt Tiranës.
Përmes njoftimit nga Presidenca, thuhet se Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.
Lidhur me këtë samit, pjesëmarrjen e Kosovës dhe mundësinë që të diskutohet për dialogun, rrjedhimisht marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë, sipas planit franko-gjerman, për Gazeta Blic analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre.
Politologu Dorajet Imeri thotë se ky samit është mundësi e mirë për Kosovën, që të paraqitet si pjesë e barabartë e proceseve integruese.
“Samiti i Tiranës është një mundësi e mirë për të paraqitur Kosovën si pjesë e barabartë e proceseve integruese. Pjesëmarrja në forume të tilla janë me rëndësi për diplomaci multilaterale, pasi në to do të marrin pjesë delegacionet më të rëndësishme nga BE-ja e Ballkani”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas Imerit, plani franko-gjerman do të jetë me gjasë tema kryesore, sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, por që nuk pritet zhvillime të mëdha derisa dihen qëndrimet e të dyja palëve.

“Natyrisht, pas ezaorimit të çështjes së vizave, dhe hapjes së temës së negociatave për planin franko-gjermna, ky i fundit do të jetë me gjasë tema kryesore, sa i takon çështjeve të Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht se nuk pritet të ketë zhvillime të mëdha duke i njohur qëndrimet e palëve, por me rëndësi është prania e Kosovës dhe fjala e saj”, thekson Dorajet Imeri.
Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci, samitin e nesërm në Tiranë e sheh si historik, pasi po mbahet për herë të parë në një shtet që nuk është pjesë e BE-së.
“Samiti nesër është ngjarje historike për Tiranën, Shqipërinë dhe shqiptarët. Falë kancelares Merkel, Tirana u bë qendra kryesore e diskutimeve të Ballkanit Perëndimor dhe jo Beogradi. Për herë të parë po vijnë në Tiranë liderët e 27 shteteve, për të mbajtur një samit në një shtet jo anëtar të BE-së. Kjo është historike”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Raci shprehet i habitur për protestën e nesërme nga opozita me në krye Sami Berishën, që thotë se është tendencë për destabilizim të marrëdhënieve BE-Ballkan Perëndimor.
“Po ashtu, më ka çuditur fakti se si një pjesë e opozitës shqiptare e rreshtuar kah z.Berisha do të protestojnë. Ka një si tendencë ruse për të destabilizuar më tutje marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Për mendimin tim, tendencat ruse janë që edhe Tiranën ta përfshijnë në kuadër të luftës speciale për të kundërshtuar zgjerimin e BE dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, shton ai.

Ndërsa, analisti pret diskutim dhe pajtim nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së për planin franko-gjerman.
“Unë pres diskutim për planin franko-gjerman për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu pres pajtim nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së mbështetje ndaj këtij propozimi, për të ecur tutje të dyja vendet aspiruese për integrim në BE”, deklaron Raci.
Kujtojmë që seanca e këtij samiti fillon në orën 11:00, ndërsa sesioni i dytë i saj vijon në 12:15. Në fund, Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel; Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët.
/Gazeta Blic/


