Lajme

Samiti i Vjenës – Kryeministri Kurti kërkon njohjen nga Serbia dhe heqjen e vizave

06/18/2021 16:59
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë pjesëmarrës në Samitin e Vjenës, ku u takuan përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti, përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social “Facebook” konfirmoi se në fjalën e tij në këtë Samit, theksin e kishte vënë te njohja e Kosovës nga Serbia dhe heqjen e vizave për kosovarët, përcjell GazetaBlic.

Madje, numri i kërkesave ishte i barabartë me numrin e kërkesave në Bruksel, gjithsej katër.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Nën organizimin e Kancelarit Austriak, z. Sebastian Kurz, sot u mbajt samiti i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për dallim nga 17 marsi i vitit të kaluar kur diskutuam virtualisht përmes platformës Zoom, kësaj radhe u mblodhëm fizikisht në Vjenë në Pallatin e Kancelarisë Federale.
Në fjalën time, përveç tjerash, theksova:
1. Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë Covid-19.
2. Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi. Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara.
3. Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.
4. Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në.

Lajçak flet sërish për takimin Kurti Vuçiq: Nuk kemi arsye të jemi pesimistë