Samir Ujkani ka dhënë një intervistë për mediumin sllovak sportnet.sme.sk, ku ka folur për sfidën e ardhshme të Kosovës në play off dhe objektivin për të arritur në një moment historik.
Ish-portieri i përfaqësueses ka theksuar se fokusi është te ndeshja në Sllovaki, por sipas tij, kulmi mund të vijë vetëm nëse sigurohet finalja në Prishtinë. “Shpresoj të mos jetë ndeshja më e madhe, sepse nëse ia dalim në Sllovaki, do të kemi finalen e ‘play-off’ në Prishtinë dhe ajo do të jetë ndeshja më e madhe. Sigurisht, lojtarët janë të vetëdijshëm për këtë”, ka deklaruar Ujkani.
“Tani cilësia është në një nivel tjetër, sepse ne tashmë kemi lojtarë me përvojë që luajnë në ekipe të mëdha në Serie A, La Liga ose Bundesliga. Do të jetë e vështirë. Është Kupa e Botës dhe të gjithë meritojnë të jenë në fazën eliminatore. Çdo ekip ka cilësi të lartë. Le të fitojë më i miri. Sigurisht që duam të fitojmë, do të ishte një gjë e madhe për ne, por do ta shohim”, është shprehur ai.
Ujkani ka folur edhe për trajnerin e Kosovës, Franco Foda, për të cilin ka pasur vetëm fjalë të mira.
“Foda është një trajner i shkëlqyer, ne e dinim historinë e tij dhe për këtë arsye iu afruam. Ai pati sukses të madh me ekipin kombëtar austriak dhe kjo është ajo që na interesoi më shumë. Ai beson në projektin tonë, beson te djemtë dhe beson në vetvete. Kjo është arsyeja pse ne e lëmë të punojë dhe përpiqemi ta ndihmojmë në çdo gjë, në mënyrë që të arrijmë ëndrrën tonë së bashku”, ka theksuar ai.
“Trajneri ynë e meriton çdo cent që merr. Është një investim i madh për ne, por ai e meriton. Ndoshta meriton edhe më shumë”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se Kosova dhe Sllovakia ballafaqohen të enjten në Bratislavë nga ora 20:45.
/GazetaBlic Sport


