Sporti

Samir Ujkani do të jetë startues sonte ndaj Irlandës së Veriut

06/09/2022 08:29
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës sonte ballafaqohet me Irlandën e Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve, grupi C.

“Dardanët” futen në këtë ballafaqim me shumë probleme, pasi disa nga lojtarët kyç janë dëmtuar dhe tashmë gjërat vështirësohen, kur fitorja na duhet më së shumti.

Aro Muric, portieri i parë i Kosovës është i suspenduar dhe nuk luan sonte, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Greqisë, shkaku i prekjes me dorë jashtë zonës së tij.

Burime të ‘GazetaBlic Sport’ mësojnë se Samir Ujkani është i preferuari i Alain Giresse për të startuar në ballafaqimin e sotëm.

Pavarësisht se nuk ka shumë minuta me ekipin e tij, Empoli – Giresse pëlqen Ujkanin dhe përvojën që ai ka, andaj pritet që 33 vjeçari të startojë para Visar Bekajt, i cili kishte një sezon mbresëlënës me Tiranën.

Akoma nuk ka asgjë të konfirmuar, megjithatë Ujkani është favorit të startojë dhe kjo mund të ndodhë, nëse nuk ka ndonjë ndryshim të minutës së fundit nga stafi i kombëtares së Kosovës.

/GazetaBlic Sport