Lajme

Sallahu: Gjykata e ndikuar politikisht, për katër nene e rrëzoi në tërësi projektligjin për Byronë

07/03/2024 23:44
nga:Sh R

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka vazhduar me pretendimet se Gjykata Kushtetuese ka qenë e ndikuar politikisht për rrëzimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për pasurinë e pajustifikueshme.

Në emisionin DPT Te Fidani ai ka insistuar se Kushtetuesja është dashur të ndjekë praktikat e mëparshme për rrëzimin e neneve dhe jo të projektligjit në tërësi.

“Për katër nene e shpall në tërësi të pavlefshëm Byronë. Ka ndikime politike. Është dashur me u ndjek praktika e njëjtë. Është dashur të shpallen katër nenet të pavlefshme, është dashur t’ia kthejë Kuvendit të përmirësohet. Për katër nene e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi”, ka thënë Sallahu.

Ai ka sqaruar se tani projektligji duhet të kthehet në qeveri dhe pas aktgjykimit do të përmirësojë këto katër nene.

Zëvendësministri ka sqaruar se për këtë projektligj kanë punuar një numër i madh i ekspertëve.

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar disa nene që janë shkelë me këtë projektligj. Në këtë projektligj kanë punuar pesë ekspertë ndërkombëtarë që kanë punuar në Këshill të Evropës dhe në Komision të Venecies, Gjykatës së Strasburgut. Ka pasur edhe gjyqtarë të Kosovës. Krejt ky konglomerat i njerëzve profesionistë ka punuar në këtë projektligj. Janë edhe tri raporte të Komisionit të Venecies që e kanë konfirmuar dhe është futur brenda projektligjit”, ka thënë Sallahu.

“Komisioni i Venecias kur shpreh një mendim, ofron edhe një rekomandim. Në opinioni i tretë e përgëzon Kosovën për përfshirjen e të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecies në projektligj. I kemi marrë parasysh krejt rekomandimet e Komisionit të Venecies”, ka insistuar Sallahu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar më 26 qershor se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në vendim, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji, por tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore “është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Lënda në Kushtetuese u dërgua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, që tashmë është shpallur i pavlefshëm, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.