Lajme

Salihu: Rreth 700 studentë të Luginës së Preshevës preken nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës

01/25/2022 10:42
nga:Gazeta Blic

Rreth 700 studentë janë prekur nga vendimi i qeverisë së Kosovës për të ashpërsuar masat anti-COVID në kufi.

Kështu ka deklaruar anëtari i Forumit Ekonomik mbarë-shqiptar në Luginën e Preshevës, Muharrem Salihu në Euronews Albania.

Ai nënvizoi se janë prekur të gjitha grupet e interesit.

“Personat që studiojnë në Kosovë, ata pas fundjavës nuk ktheheshin dot në Kosovë. Janë të prekur edhe bizneset. Ka prekur të gjithë shtresat, kategoritë, grupet e interesit”, u shpreh ai.

Saliu tha se një pjesë e qytetarëve nuk kanë arritur kohën e mjaftueshme për të marrë dozën e tretë të vaksinës dhe e kanë të pamundur për të kaluar kufirin. Ai tha se presin që ky vendim të ndryshohet në ditët në vijim.

“Ishte një vendim arbitrar. Këto masa nuk kanë qenë të menduara”, përfundoi ai.

Nga 22 janari deri në datën 4 shkurt, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Kosovës, duhet të kenë certifikatë vaksinimi me 3 doza, ose një certifikatë vaksinimi me dy doza dhe një test PCR negativ.