Lajme

Salihu nga Policia e Kosovës: Në të gjitha fazat e projekteve në prokurim publik ka shkelje

12/07/2022 12:38
nga:N M

Musli Salihu, përfaqësues nga Policia e Kosovës në tryezën “Luftimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”, ka thënë se në të gjitha fazat e zhvillimit të projekteve në prokurimin publik ka shkelje nga autoritetet e menaxhimit të projekteve.

Ai shtoi se ekziston perceptimi se prokurimi publik është ndër fushat ku ka më së shumti keqpërdorime të parasë publike, si dhe është fusha që kritikohet më së shumti në raportet e monitoruesve të shoqërisë civile lokale dhe ndërkombëtare.

“Policia e Kosovës në fushën e luftimit të korrupsionit në prokurorimin publik bashkëpunon me të gjitha agjencionet relevante që kanë funksionin e mbikëqyrjes, kontrollit, dhe monitorimin e prokurorimit public”, tha Salihu.

Ai shtoi se në baza ditore Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike pranon raporte nga qytetarët, mediat, përfaqësues, autoriteti i Agjencisë Kundër Korrupsionit, në lidhje më të gjeturat gjatë procesit të monitorimit të prokurimit publik, të cilat trajtohen pastaj me prokurorinë e shtetit.

Tutje, ai njoftoi se gjatë vitit 2021 në Policinë e Kosovës ka pasur gjithsej 12 raste të hapura, janë ushtruar 12 kallëzime penale, janë arrestuar 6 persona dhe 28 persona kanë qenë të përfshirë në kallzime penale.

Ndërsa, për periudhën janar-nëntor 2022, Salihu njoftoi se në Policinë e Kosovës ka pasur 14 raste të hapura, 14 kallëzime penale, 11 persona të arrestuar, dhe 38 persona të përfshirë në kallëzime penale.

“Ajo çka neve na ndihmon shumë është bashkëpunimi që ndërtohet me besim të ndërsjellë. Unë inkurajoj të gjithë që kushdo që ka informata të na informojë në çfarëdo forme”, shtoi Salihu.

Ai shtoi se ka një numër informatash që vijnë nga qytetarë dhe subjekte të tjerë, në raste ku nuk ka elemente të veprës penale, e në të cilat shpesh ka vetëm shkelje administrative.

“Në disa raste pranojmë informata të shkeljeve edhe në disa raste kur nuk përfundohet tërësisht procedura, dhe na marrin kohë në trajtim derisa të bindemi që nuk ka elemente të veprës penale, dhe t’i adresojmë pastaj tek autoritetet kompetente”, shtoi Salihu.

Ai tutje tha se dukuri në këtë fushë ka qenë përfshirja e zyrtarëve që janë të supozuar të luftojnë keqpërdorimet në këtë fushë, ndërsa janë përfshirë vetë, duke ndikuar edhe në uljen e besimit të qytetarëve.

Iniciativa për Progres (INPO) në tryezën e diskutimit me temë “Luftimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”, së bashku me penalistët dhe akterët tjerë relevant diskutojnë të arriturat, sfidat dhe dobësitë në prokurimin publik si dhe luftën kundër korrupsionit në prokurim.

Diskutimi është fokusuar në këto tema: Mbikëqyrja dhe shqyrtimi i prokurimit, Sundimi i ligjit dhe llogaridhënia, Efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik, Bashkëpunimi i sistemit prokurorial me institucionet tjera në luftimin e kriminalitetit në prokurim publik dhe ndryshimet ligjore të propozuara në prokurim, si dhe A e trajtojnë fenomenin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike.

Ky organizim bëhet në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, e cila organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve. Pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.

Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi

Britanikët rekomandojnë Kreshnik Domin për kryeshef të Telekomit, Qeveria insiston në njeriun e tyre Burbuqe Hanen (dokument)