Ish- sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu në “BlicInterview” me Astrit Gashin deklaroi se Kosova ka pasur ngecje që nga shkarkimi i trajnerit, Bernard Challandes.
Salihu megjithatë mendon se Kosova është e gatshme të përballet me kombëtare të forta duke potencuar se ‘Dardanët‘ kishin një sukses të madh në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020” duke e zënë vendin e parë në grupin përkatës të “Nations League“, shkruan GazetaBlic.
“Ishte një eufori nacionale, nuk ishte e lehtë që në kuadër të Nations League, Kosova të zinte vendin e parë në grup. Kundërshtarët nuk ishin të lehtë, sot nuk është lehtë ta mposhtësh askënd. Mendoj se reprezentacioni ka ngec pak me daljen e Challandes, është formuar një strukurë e re. Duhet kohë që të njihen lojtarët, Challandes ishte në përcjelle të vazhdueshme të lojtarëve, madje disa edhe i ka ushtruar. Me ardhjen e trajnerit të ri duhet kohë, duhet stabilitet. Ne akoma nuk e kemi një ekip që luan për një vit apo dy bashkë. Lojtarët po ndrrohen po bëhen eksperimente. Lojtarët janë aty, por shpresoj që edhe ana psikologjike të jetë aty për të arritur atë që dëshirojmë“, tha Salihu.
Kujtojmë që Kosova bën pjesë në grupin I për kampanjën kualifikuese të Kampionatit Evropian “Euro 2024” ku garon me kombëtare si: Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andora.
/GazetaBlic/


