Eroll Salihu, ish sekretari i FFK’së ka folur për gjendjen e mjerueshme të futbollit kosovar në kohët e fundit.
Sipas tij, Kosova ishte shumë më mirë në kohën e Vokrrit, ku lojtarët janë bindur me dy llafe nga legjenda, teksa tani po mashtrohen, përcjell GazetaBlic Sport.
“Kombëtarja dhe veç Federata, menaxhmenti, lidershipi, janë dy gjëra të ndryshme. Unë kam qenë aty kur në Finlandë e kemi nisë me 2 lojtarë, bashkë me Vokrrin duke regjistruar, mezi u bën 11’të. E di për çdo lojtarë që kemi luftu. Kur ka qenë presidenti i ndjerë Fadil Vokrri, unë dhe të tjerët, ka qenë lehtë me i përfitu futbollistët, sepse ne kemi qenë të futbollit, nuk i kemi mashtru. Fadili me dy fjalë i ka bindë. Kemi kriju një atmosferë të jashtëzakonshme, ku Kosova ka qenë shembull sidomos në Nations League. Kosova ka qenë shembull, edhe në Kongresin e UEFA’s jemi përmend si storie suksesi, na ka bë krenar Kosova të gjithëve. Unë i kam pas gjithë aty, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, e të gjithë – i kam pa me lot në sy, qaq kënaqësi që na dhuronte Kosova. Ajo që ka qenë kryesorja ishte se patëm kriju një imazh të mirë, ju e dini ndeshjet me Azerbejxhanin, me Bullgarinë me Anglinë – patëm kriju imazh të mirë edhe për bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje. Ju e dini, tash po bëhen 2 vite e gjysmë që jam larguar nga FFK, pasi kam qenë pengesë e pakapërcyeshme për kryetarin pikërisht edhe disa tjerë. Qiky reprezentacion, bile edhe më të mirë ka lojtarë, nëse vjen koha që lojtarët tonë nuk dojnë me ndi për reprezentacion… Rasti i vëllaut të Arbër Zenelit, (që Arbëri ka qenë lojtari më i mirë deri u lëndu), tash as që e konsideron për me ardhë, zgjedhja e parë tash janë shtetet tjera, Shqipëria e Kosova kush mundet hajt ndoshta, e plus del kryetari e prezanton, thu ti ai e ka meritën, në vend se të del drejtori i reprezentacionit. Për fat të keq, populli është lidhë, sepse kjo (kombëtarja) ka qenë një prej kënaqësive të rralla që i ka ky popull. Kjo është pasqyrë e një shoqërie, sepse ky person e udhëheq futbollin, ka 15 vjet ndër aktakuza, skandale, poshtërime… E tash unë se kuptoj as shtetin, sepse unë jam kreytar i Komisionit Arbitrazh Sportiv, kemi insistu që mos me i lënë personat që janë ndër aktakuza, por s’po i intereson askujt”, tha Salihu ndër të tjera për GazetaBlic Sport.
Ai poashtu shton se lojtarët e Kosovës nuk kanë respekt për Agim Ademin dhe këtë e thotë me bindje të plotë.
“Lojtarët nuk kanë respekt për këta njerëz që janë rreth tyre, e di sigurisht. Nga ajo kënaqësi e madhe që kanë pas, kanë humb interesimin, vijnë sa për sy e faqe. Ju e patë Shqipërinë – me kualitet nuk krahasohen me Kosovën, por kanë luftu me zemër. Ky kryetari aktual e imiton pak Dukën, por Duka është nivel tjetër dhe moment kur do me kopju dikë dhe s’ki kaçik, dështon. Nuk ua nin për grumposha të reja, veteranët i ka shti në statut, s’ka kërkun në botë kështu, ku liga e veteranëve shtihet në statut, pse a kanë me lujtë në Europian a? Pra shkojnë me shoqni në Antalya, në Spanjë… e grumposhave të reja nuk ua mundëson me shku në përgatitje. E ka largu Afërfita Fazlijun, e ka largu Michael Nees, ekspert i jashtëzakonshëm, frut i marrëveshjes me Federatën Gjermane të Futbollit, ne moti është dashtë me fillu me licensën profi për trajnerë, ku ka mbetë, ka mbetë në duar të 2-3 personave që s’kanë përgatitje profesionale, problemet janë të shumta, jo veç ato që shihen”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


