Lajme

Sali Berisha: Rama mori mandatin e tretë për fajin tonë

10/07/2022 22:03
nga:Y I

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, bën përgjegjëse opozitën e drejtuar nga Lulzim Basha për marrjen e mandatit të tretë nga PS.

Në një takim me qytetarët në Gjirokastrës, Berisha thotë se sot Shqipëria gjendet në një sistem diktatorial që nuk ka kampe, por që burgos qytetarët për një gardh dhe i heq nga puna për bindjet e tyre politike.

“Gjirokastra, universitet i bashkëjetesës së shqiptarëve, vllehëve e grekëve. Me trashëgiminë dhe atë që krijuan të parët, qëndron në kurorën e trashëgimive kulturore të botës. PD është parti e traditës, konservatore do të thotë traditë dhe ne respektojmë shumë traditën tonë. Sot, jam këtu për të dëgjuar zërin tuaj, diskutuar, por edhe për të kërkuar nga ju një shumëfishim të përpjekjeve tona për të përmbushur misionin jetik që kemi sot si demokratë. Mision në kohë kritike. Duhet të jemi të vetëdijshëm se fakti që ndodhemi në mandatin e 3 të një qeveria që kalon nga skandali në skandal, në një mënyrë apo tjetër, na bën përgjegjës e vë çdo demokrat para përgjegjësisë kombëtare. Apeli ynë është të bëjmë gjithçka si forcë politike për ndryshim e realizëm . Qyrku, manteli 9 vjeçar nuk flet në favorin tonë. Ramës duhet t’ia kishim prerë me kohë biletën, qeveri e mirëfilltë antisociale e anti kombëtare. Kjo qeveri ka arritur të mbijetojë e të marrë mandatin e 3 se ka përdorur metoda të paligjshme, por nuk ka marrë përgjigjen që duhet nga ne. Duhet të angazhohemi në organizim të përsosur. Tani kemi një diktaturë, nuk ka kampe por ka të gjitha të tjerat. Kudo gjej qytetarë të persekutuar, të ndjekur nga puna e burgosen për një gardh. Gjej standarde të trefishta me ligjin e padrejtësi ndaj qytetarëve”, tha Berisha.