Lajme

Sali Berisha: Protesta nesër paqësore, nuk pranojmë asnjë akt dhune

01/07/2022 21:33
nga:Y I

Lideri historik i PD, Sali Berisha garanton se nuk do të ketë dhunë në protestën e nesërme te Partia Demokratike.

Berisha tha se dyert e hekurta do të hapen me pajisje të posaçme, ndërsa deklaroi se nuk do të preket askush nga personat që ndodhet brenda selisë së PD.

“Protestë e fuqishme paqësore. Në mënyrë kategorike nuk pranojmë asnjë akt dhune. Nëse tjetri mbyll derën e shtëpisë, çfarë më mbetet mua? Të shtyj derën. Unë po shkoj të hap dyert e shtëpisë time dhe po shkoj në mënyrë paqësore. Do përdoren mjete që hapin deyrt e hekurta. Ajo nuk është dhunë, por hapje në moral dhe në ligj e derës së shtëpisë tënde. Asnjë qime floku nuk do t’i preket kujt. Nuk shkojmë ne të cënojmë njeri aty. Ai është shkarkuar dhe po përdor milionat e plaçkitura për karrigen e tij. Ai po e mban me dhunë selinë, po e mban me banda, me mercenarë. Ata kanë kërcënuar, zëdhënësit më të afërt të tij, kanë thënë se do të ketë viktima. Këto fjalë s’i keni dëgjuar nga ne. Kanë thënë se pa gjak nuk e lëshojmë. Ne shkojmë paqësisht. Dyert do t’i hapim. Po i hapi Lulzim Basha, nuk përdorim asnjë mjet. Ne nuk dhunojmë kurrë asnjë punonjës, është shtëpia jonë, janë punonjës të PD ata”, u shpreh Berisha.

Berisha sqaroi edhe rolin e Gjykatës.

“Ne jemi bashkë në garë, numërojmë votat, kontestojmë dhe shkojmë në gjykatë për kontestimin që kemi për votat. Gjykata ka rol vetëm në një moment, ky statut që vjen është apo jo në përputhje me Kushtetutën”.