Sporti

Sahiti: Kërkojmë vetëm pikët e plota ndaj Dukagjinit, Trepça ’89 nuk është ‘dorëzuar’ në garën për mbijetesë

05/17/2023 13:46
nga:Mergim Rreci

Edicionit të Superligës së Kosovës po i vjen fundi, me garën që vazhdon të jetë e ‘zjarrtë’ si për titullin kampion, ashtu edhe për mbijetesën.

Skuadra e Trepçës ’89 është në një ‘betejë’ të ashpër me atë të Ferizajt dhe Malishevën, duke kërkuar ta ruaj statusin e Superligës.

Momentalisht, mitrovicasit renditen në pozitën 9-të me 37 pikë, pozitë kjo që nuk i mundëson qëndrimin në nivelin elitar të futbollit kosovar. Në anën tjetër, Ferizaj është në pozitën e 8-të me 38 pikë, kurse Malisheva pak më komode në pozitën e 7-të, atje ku ka 40 pikë.

Në dy javët e ardhshme, Trepça ’89 do të përballet me Dukagjinin dhe Prishtinën, dy ndeshje që do të vendosin edhe për fatin e saj, qëndrimin apo largimin nga Superliga.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, futbollisti i kësaj skuadre, Samir Sahiti tha se janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen në Klinë, sepse e kanë të qartë që vetëm me fitore do të mbesin në lojë.

“Ne po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen me Dukagjinin, sepse e dimë që është një nga skuadrat më të mira në Superligë, jemi të vetëdijshëm për pikat e forta të kundërshtarit dhe ne do të shkojmë për pikë të plota, sepse vetëm me 3 pikë mbesim në lojë për të qëndruar në Superligë”, tha fillimisht Sahiti.

Më pas, ai tha se beson tek grupi dhe bashkëlojtarët e tij, por që gabimet në ndeshjet e kaluara kanë ndikuar që skuadra të jetë në këtë situatë të vështirë.

“Jam i sigurt se kemi një grup që mund të ia dalim, por gabimet që bëmë në ndeshjet e kaluara na kushtuan shumë, sidomos me kundërshtarët e drejtpërdrejtë, janë dy ndeshje jetike për ne, por besojme deri në fund, do t’i kemi tre ndeshje bashkë me atë të barazhit. Do të shkojmë të luftojmë shumë që të kthehemi me pikët e plota nga Klina, kurse më pas të mendojmë për Prishtinën”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/