Sporti

Safet Mustafa shton motivin tek Trepça para ndeshjes me Pejën: Besoj tek ‘Torcida’, Drilon Hajrizi është ‘zemra’ e skuadrës

05/17/2023 09:45
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Trepçës dhe ajo e Pejës do të përballen të enjten në ndeshjen vendimtare për titullin kampion.

Nga 4 takimet e zhvilluara deri më tash, të dy skuadrat kanë siguruar nga dy fitore, me ndeshjen e pestë në ‘Minatori’ që do të vendosë për skuadrën kampione.

Ndeshja e fundit në palestrën ‘Karagaçi’ ishte një ndeshje dramatike, me vendasit nga Peja që fituan dhe e dërguan çështjen e titullit për t’u vendosur në ndeshjen e fundit.

Në ditët e fundit, në numër të madh janë mobilizuar nga të dyja kampet për t’i mbështetur skuadrat e tyre, duke dashur që sado pak të ndihmojnë në krijimin e një atmosfere pozitive.

Safet Mustafa është njëri nga basketbollistët më të mirë që ka luajtur tek skuadra e Trepçës, duke fituar titullin kampion dhe kupën e Kosovës në vitin 2012, ndërsa mbahet mend për angazhimin maksimal në çdo ndeshje.

Nëpërmjet një mesazhi për ‘GazetaBlic Sport’, ai i ka motivuar basketbollistët e ish klubit të tij, duke uruar fat dhe suksese në ndeshjen finale në Mitrovicë.

Unë kam besim të plotë si gjithmonë te ‘Torcida’ dhe tek ‘zemra’ e skuadrës, Drilon Hajrizi. Ai është një basketbollist që nuk dështon në ndeshje të tilla dhe poashtu një figurë që di ta bëjë ekipin bashkë. Në ndeshje të tilla vetëm me lojë kolektive korr suksese”, tha shkurtimisht Mustafa.

Kujtojmë që ky takim zhvillohet me fillim nga ora 20:00, me të gjitha biletat që janë shitur ditën e djeshme.

/GazetaBlic Sport/