Lajme

Sadiku: Nëse LVV-ja i merr 80% të votave të diasporës mund të ketë ndryshim në rezultat, ndryshe jo!

02/26/2025 12:08
nga:Y I

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar dje, se sot se nga ora 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të nisë procesi i numërimit të votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike, i zhvilluar më 8 shkurt 2025.

Më 8 shkurt, votimi jashtë Kosovës u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 43 vendvotime dhe nga 20 mijë e 324 votues të regjistruan kanë votuar 75.57% e tyre apo 15mijë e 352 votues.

Procesit të numërimit, pritet t’i nënshtrohen edhe pakot me fletëvotime të ardhura përmes postës, pas tyre edhe ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Por a pritet të ketë lëvizje në rezultatin përfundimtar?

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Arbnor Sadiku, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se pas numërimit të këtyre votave mund të ketë ndryshim drastik në rezultat vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje merr mbi 80% të votave të diasporës.

“Mund të ketë ndryshim drastik vetëm nëse LVV-ja i merr mbi 80% të votave te diaspores, e kunderta sipas formules zgjedhore që ka në Kosovë, këto vota mund të kenë ndryshim tek partia dytë, dhe partia e tretë, por jo tek partia e parë dhe fundit” tha Sadiku për “Gazeta Blic”

Ai tutje potencoi se nëse LVV-ja i merr 60% dhe opozita 40% ndryshimet mund të jenë të vogla.

“Nëse LVV i 60%, dhe opozita 40%, ndryshimet mund të jene te vogla ose fare” deklaroi Sadiku në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.

Nga rezultatet e deritanishme Lëvizja Vetëvendosje mban vendin e parë me 40,90%, Partia Demokratike e Kosovës 22.29%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.42%, AAK-NISMA 7.42%.

Asnjëra nga subjektet politike nuk ka fituar numrin e nevojshëm të votave për t’a formuar qeverinë e vetme.

Ndërsa Kryeministri i vendit njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar në mbledhjen e sotme të Qeverisë se presin përfundimin e procesit të numërimit të votave për t’a përmbushur obligimin për formimin e institucioneve.

“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës dhe sipas njoftimit të KQZ-së, më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë.Deri atëherë pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm, ndërkaq të gjithë presim nga KQZ edhe më shumë angazhim në përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votueseve për të përmbyllur këtë proces zgjedhor me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

 

Sot nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

 

Kurti: Po presim rezultatet përfundimtare që sa më parë t’i formojmë institucionet si fitues të qartë të zgjedhjeve