Lajme

Sadiku: Edhe LDK-ja mban përgjegjësi, është dashur ta bllokonim miratimin e ligjit

08/06/2026 15:12
nga:L J

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me kritikat që qytetarët po u drejtojnë përfaqësuesve politikë për Ligjin për Fondin Sovran.

Sadiku ka thënë se pajtohet me qytetarin që po u kërkon llogari deputetëve të PDK-së, Bedri Hamza dhe Përparim Hoxha, duke shtuar se e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për të dhe për LDK-në, raporton Gazeta Blic.

“Personalisht, pajtohem me këtë të ri që po i kërkon llogari Hamzës dhe Hoxhës në shesh. Njësoj duhet të veprojë edhe me mua edhe me LDK-në”, ka shkruar ai.

Sipas deputetit të LDK-së, edhe pse partia e tij kishte votuar kundër këtij ligji, reagimi nuk ishte në nivelin e duhur.

“Është e vërtetë që kemi votuar kundër këtij ligji, por e kemi bërë me një heshtje të çuditshme. E kemi lejuar Kurtin, Vetëvendosjen dhe Listën Serbe ta kalojnë këtë ligj me shumë lehtësi”, ka theksuar Sadiku.

Ai ka shtuar se opozita është dashur të ndërmerrte veprime më të fuqishme për ta penguar miratimin e ligjit.

“Ne është dashur të protestojmë, ta bllokonim votimin dhe të bënim gjithçka që ishte në dorën tonë për ta ndalur këtë të keqe. Nuk e bëmë”, ka shkruar ai.

Në fund, Sadiku ka theksuar se përfaqësuesit politikë duhet t’i dëgjojnë dhe t’i pranojnë kritikat e qytetarëve.

“Prandaj, sot duhet t’i dëgjojmë dhe t’i pranojmë qytetarët kur na kërkojnë përgjegjësi. Kjo është pjesë e përgjegjësisë që vjen me mandatin dhe me besimin që na kanë dhënë”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.