Lajme

Sadi Bexheti kandidon për të parin e Tetovës

04/10/2021 20:26
nga:M K

Ish kryetari i komunës së Tetovës Sadi Bexhetit do të kërkojë edhe një mandat nga qytetarët e Tetovës si kandidat i Partisë Demokratike Shqiptare.

Kandidaturën e tij Bexheti e shpalosi gjatë ditës së sotme para selisë së PDSH-së në Tetovë. Bexheti tha se dy mandatet e Teuta Arifit kanë qenë zhgënjyes për tetovarët dhe për këtë arsye ai mendon se do ta bëjë më mirë Tetovën.

“Në vazhdimësi po përjetojmë pasojat e keqmenaxhimit lokal duke u nisur nga nevojat themelore të njeriut deri te ato për zhvillim intelektual. Nuk po mundemi të mendojmë për gjëra tjera sepse na mungon uji i pijshëm. Nuk po mundemi t’i besojmë institucionit të Komunës sepse kanë uzurpuar pronën publike dhe janë zhytur në afera korruptive me lejet e ndërtimit. Nga një qytet me kulturë të pasur dhe jetë qytetare të mirëfilltë, Tetova është shndërruar në një qytet ku asgjë e mirë nuk promovohet, aktivitetet sportive dekurajohen, kapaciteti i tetovarëve të rinj po nënçmohet dhe kjo fatkeqësisht i përcjell tetovarët në megrim“, deklaroi Bexheti.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi tha se deri më tani nuk ka biseduar për një koalicion të mundshëm por ështëi i gatshëm që të bisedojë me të gjithë përveç se me BDI pasi që sipas tij pikërisht nga ata ka ardhur e keqja.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë edhe kandidati të bisedojë me të gjithë forcat politike përvç BDI-së që ta mbështesin pasi që plani jonë është promovimi i kandidatit më pas fushata edhe kur të zgjidhet të jetë përfaqësues i qytetarëve jo i PDSH-së”, njoftoi Thaçi.

Sadi Bexheti ka qenë kryetar i Komunës së Tetovës nga viti 2009- deri në 2013 kur edhe u mund nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi. Nga BDI akoma nuk kanë dalë me emra konkret por kryerja e Tetovës Teuta Arifi asnjëherë nuk ka mohuar se është e gatshme edhe për një mandat të tretë. Nga Lëvizja Besa deri më tani nuk kanë dalë me kandidat por në disa prononcime zyrtare të kësaj partie kanë thënë se do të dalin të vetëm ne zgjedhjet. Ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët një gjë është e sigurt se do të jenë ne koalicion me Alternativën e Gashit ndërsa deri më tani as nga kjo parti nuk ka ndonjë emër konkret.

LEXO EDHE:

U kritikua se nuk përmendi UÇK’në, reagon Osmani: Po bëhet luftë speciale por dëshmitë flasin ndryshe