Manchester United huazoi Marcel Sabitzer në merkaton e dimrit në formë emergjence pas dëmtimit të Christian Eriksen. Mesfushori u afrua nga radhët e Bayern Munich teksa nuk po gjente hapësira me gjermanët dhe tashmë në ditët e para me fanellën e “Djajve të Kuq”, ia ka dalë të fitojë besimin e trajnerit Erik ten Hag.
Aventura e tij me United, edhe pse është ende herët, duket se po shkon mirë teksa austriake ka nisur të mendojë edhe për një qëndrim afatgjatë në Angli. Së fundmi, Sabitzer u shpreh se i pëlqen Manchester United dhe atmosfera që krijohet në Old Trafford.
“Për momentin unë jam vetëm një lojtar i huazuar tek Manchester United, kaq është gjithçka unë mund të them. Mua më pëlqen shumë klubi dhe po ndjehem mirë. Skuadra është e mirë dhe ka cilësi, dua të theksoj se më tërheq atmosfera që krijohet në stadiumin Old Trafford. Por, sa i takon një transferimi të përhershëm tek United duhet të presim se çfarë do të ndodhë në verë”, u shpreh 28-vjeçari.


