Milani po negocion kalimin e Alvaro Moratas te Galatasaray, një marrëveshje që do të ishte vendimtare për t’i ndihmuar Rossonerët të mbledhin fondet e nevojshme për të nënshkruar me Santiago Gimenez nga Feyenoord.
Raportet e dala të enjten pasdite konfirmuan se largimi i sulmuesit spanjoll është i lidhur ngushtë me ardhjen e 23-vjeçarit, të cilin kuqezinjtë e kanë identifikuar si objektivin e tyre kryesor për t’i ofruar trajnerit Sergio Conceiçao, transmeton GazetaBlic Sport.
Sipas Calciomercato.com , Milani dhe Galatasaray janë afër arritjes së një marrëveshjeje për një huazim me detyrimin blerje të vendosur në 16 milionë euro, që është pak a shumë e njëjta tarifë që kuqezinjtë i paguan Atletico Madridit vetëm gjashtë muaj më parë.
Një lëvizje e tillë do t’i lejonte drejtuesit e klubit të rikuperonin plotësisht paratë që shpenzuan për një sulmues, i cili përfundimisht u tregua më pak produktiv sesa pritej, dhe të përdorte fondet për të siguruar shërbimet e sulmuesit meksikan.
/GazetaBlic Sport/