Lajme

Sa ndikojnë kërcënimet nga Serbia në sigurinë dhe ekonominë e vendit? Flasin ekspertët

07/01/2024 18:49
nga:N K

Serbia vazhdimisht bën paralajmërime për sulme ndaj Kosovës. 

Për këto paralajmërime, ka folur për Gazeta Blic, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Sipas tij, sulmet e mundshme nga shteti i Serbisë mund të ndodhin si pasojë e ndryshimeve politike në shtetin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Shala ka theksuar se në aspektin ushtarak duhet të jemi të avancuar për krijimin e industrisë së mbrojtjes, në rast të kërcënimeve në të ardhmen nga shteti fqinj, Serbia.

“Në kontekstin ushtarak ne do të duhet të jemi të avancuar sa i përket kërcënimeve të ardhshme dhe duhet të krijojmë agjensionin e Industrisë së Mbrojtjes, i cili do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë çështjen e mobilizimit industrial, krijimin e industrisë së mbrojtjes, mundësinë që të ardhmen të jemi të përgatitur, sado ndryshime të mundshme të ekuilibrit të sigurisë në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor”, thekson ai.

A mund të kemi sulme përsëri nga shteti i Serbisë?

“Sulmet që mund të priten muajt në vijim apo në fund të vitit padyshim që do të jenë sulme që do të akumulohen si rezultat i ndryshimeve politike në të cilat janë duke kaluar Kosova dhe Shqipëria në proces të dialogimit, por tanimë dihet qartazi qëndrimi zyrtar i Beogradit sa i përket botës serbe. Në javët e muajit në vijim padyshim që nuk është larg që ne të kemi një situatë analoge me Banjskën dhe gjithmonë të kemi situata më të zgjeruara në kontekstin e sigurisë”, deklaroi eksperti i sigurisë Drizan Shala për GazetaBlic.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Jakup Bellaqa, në një prononcim për GazetaBlic, ka theksuar se deklaratat jo pozitive të paralajmërimeve për sulme nga vendet fqinje ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit.

“Deklaratat jo pozitive ndikojnë edhe negativisht për ekonominë e vendit sepse nga rajoni dhe Evropa krijohet një imazh jo pozitiv, në momentin kur krijohet një imazh negativ, krijohet një klimë jo stabile dhe reflekton që ky vend nuk ka stabilitet politik”, tha Bellaqa.

Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të ketë një ekonomi të zhvilluar për të pasur ambient të suksesshëm të bërit biznes.

“Për t’u zhvilluar një ekonomi duhet të ketë një ambient të plotë politik, në mënyrë që ambienti i mirë i të bërit biznesë është i qetë, stabil dhe miqësor, që i mirëpret dhe t’i kërkojë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm, dhe diaspora jonë që është shumë e fuqishme. Ata nuk hezitojnë që të investojnë në Kosovë, përpos që investimet e tyre deri tek shtëpia e tyre, ekonomia rritet vetëm nëse investohen në prodhim dhe produktivitet”, përfundoi eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa.

/GazetaBlic/