Lajme

Sa do të vonojë formimi i qeverisë së re? Flasin ish-diplomatët: A do t’i krijojë VV institucionet

02/13/2025 22:07
nga:G B

Dita e zgjedhjeve e 9 shkurtit kaloi pa parregullsi e incidente.

Por, parregullsi pati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, derisa po përditësonte rezultatet preliminare në faqen e saj online.

Kjo shkaktoi huti e dyshime edhe për rezultatin e mëtejmë.

Përpos kësaj, me probleme po përcillet edhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje, ku diku gati pati përplasje fizike mes vëzhguesve të VV-së e LDK-së, diku tjetër probleme me internet, ndalje e energjisë elektrike, e probleme të tjera.

Kjo duket se do të ndikojë në vonesa të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Në anën tjetër, qeveria e re e Kosovës duket se nuk do të mund të formohet nga një parti e vetme, në bazë të rezultateve preliminare, pa llogaritur ato të diasporës dhe ato me kusht.

Por, sa do të ndikojnë gjithë këto që të ketë vonesa për formimin e qeverisë së re?

Ish diplomati Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vonesat janë të qëllimshme dhe ato i konvenojnë Kurtit e VV-së, që nuk i kanë votat për ta formuar qeverinë.

“Çdo ditë e më shumë po konfirmohen dyshimet që ka qëllim vonesat e shkaktuara. Këto vonesa i konvenojnë Kurtit dhe LVV-së, të cilat duke marrë parasysh se nuk i kanë numrat, po përpiqen të zvarrisin procesin”, thotë ai.

Por, sipas Arifit, VV nëse nuk gjen partnerë, duhet ta lirojë qeverisjen.

“Kjo në fund të procesit nuk i ndihmon Kosovës por as LVV-së, e cila ose duhet të gjejë partnerë, ose të lirojë qeverisjen”, deklaron Arifi për Gazeta Blic.

Ndërsa, ish diplomatja Alma Lama, vlerëson se formimi i qeverisë varet nga rezultati i zgjedhjeve.

“Sigurisht që formimi i qeverisë varet nga rezultati i zgjedhjeve, veçanërisht duke pasur parasysh se çdo mandat është shumë i rëndësishëm, pasi rezultati mes VV-së dhe partive opozitare është shumë i ngushtë. Po kështu edhe te pakicat jo serbe nuk është e qartë fitorja e një mandati nga ana e z. Rashiq, që është partner i Kurtit. Aktualisht nuk dihet nëse VV si parti e parë i ka votat e mjaftueshme për të themeluar qeverinë”, shprehet ajo për Gazeta Blic.

Sipas Lamës, duket i vështirë krijimi i qeverisë nga VV pa bashkëpunim me opozitën, dhe po ashtu i vështirë krijimi i qeverisë nga partitë opozitare, nëse njëra nga to nuk bashkëpunon.

“Por, edhe kur të merren rezultatet, duket se do të jetë mision i vështirë, pa bashkëpunim me ndonjë parti opozitare. Por edhe opozita e ka të vështirë nëse ndonjë nga subjektet vendos të mos bashkëpunojë. Pra, duket se do të kalojnë dy tre muaj të paktën”, deklaron Alma Lama./Gazeta Blic/