Lajme

Sa do të jetë efikas lobimi pro-kosovar i Erdoganit?

08/23/2021 20:28
nga:Q R

Para një muaji, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan dha një zotim të madh që i shkon përshtati shtetit të Kosovës.

“Ne po bëjmë çmos që të rrisim numrin e vendeve që e njohin Kosovën në botë. Duam të rrisim numrin, i cili aktualisht është 114. Në këtë pikë ne do të diskutojmë përsëri këto çështje në takimet me presidentin amerikan Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së këtë vit. Ne do të donim të kryenim punë të përbashkëta për njohjen e Kosovës dhe këtë t’ia propozojmë palës tjetër, ” deklaroi Erdogan më 20 korrik gjatë një aktiviteti”.

Që nga atëherë nuk kishte ndonjë lëvizje nga Ankaraja zyrtare drejt jetësimit të zotimit të presidentit Erdogan.

Para disa ditësh ministri i mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ishte për vizitë në Turqi ku takoi homologë edhe të vendeve që nuk e pranojnë Kosovën.

“Në këtë diskutim shumë konstruktiv, ndër të tjera kërkova nga ministrat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Azerbejxhanit që nga autoriteti i tyre të shprehin ndikimin e duhur në qeveritë dhe autoritetet

politikëbërese dhe vendimmarrëse të shteteve të tyre, në njohjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve ndërshtetërore në të gjitha fushat”, shkroi Mehaj.

Politologu turk me veprimtari në Sarajevë, Hamdi Firat Buyuk, konsideron se është e vështirë që Turqia “përkundër qëllimit të mirë” të bindë vende tjera, sidomos ato me shumicë myslimane, që ta pranojnë mëvetësinë e Kosovës.

“Këtu përfshihet edhe Azerbajxhani si aleat i madh i Turqisë që për turqit është kombi më i rëndësishëm në botë. Kështu që s’do kemi efekt të madh por mund të jetë ajo që presidenti Erdogan po mundohet të vendosë marrëdhënie më të mira me perëndimin, përfshirë lidershipin e SHBA-ve dhe BE-së. Ky do të jetë një tentim që të përdoret Kosova në raportet bilaterale të Turqisë me vende tjera perëndimore”.

Megjithatë, sipas tij ka një kontinent tjetër të botës ku lobimi turk mund të jetë i suksesshëm.

“Kombe të vogla afrikane mund të provojnë ta njohin Kosovën , falë përpjekjeve të Turqisë. Turqia po mundohet t’i rrisë marrëdhëniet e saj me disa vende afrikane. Kjo nëpërmjet bashkëpunimit ushtarak, ekonomik, si dhe mbështetja politike për sfidat e tyre të brendshme e të jashtme. Megjithatë tani ka dinamika tjera në arenën ndërkombëtare dhe nuk mendoj se këto vende mund të lëvizin drejt njohjes së shpejti”.

Njohja e fundit që i erdhi Kosovës është nga Izraeli më 1 Shkurt 2021.

Sipas listës zyrtare të prezantuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë, Kosova që shpalli pavarësinë më 17 Shkurt 2008 ka 117 njohje ndërkombëtare.

Flet familja e 19 vjeçarit nga Kaçaniku i cili humbi jetën nga Covid-19