Lajme

Sa do të jenë të efektshme masat e reja të qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit?

08/13/2021 21:20
nga:M K

Vështirë të efektshme në uljen e numrit të të infektuarve po cilësohen vendimet e qeverisë të marra ditën e enjte. Madje vendimi i zgjatjes së orarit të klubeve të natës nga infektologë po cilësohet si më i gabuari.

Apel për vaksinim po bëjnë të gjithë. Nga Klinika Infektive thonë se të shtrirë me Covid-19 gjithsej janë 62 pacientë.

Masat e marra nga qeveria ditën e enjte nuk do të kenë efekt në uljen e numrit të të infektuarve. Madje vendimin për zgjatjen e orarit të klubeve të natës infektologu Ilir Tolaj e cilëson si gabim kryesor.

“Në përgjithësi ishin jashtëzakonisht konfuze, vështirë të realizueshme dhe vështirë të pranueshme nga popullata’, tha Tolaj për RTK’në.

Në këtë fazë do të duhej të kufizoheshin këto veprimtari.

“Vendet në të cilat grumbullohen shumë njerëz dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe janë në ambiente relativisht të mbyllura. Në këtë fazë do të duhej të kufizohej veprimtaria e tyre në mënyrë që të mos rrezikojnë veprimtaritë e tjera. Nuk rrezikohet e gjithë ekonomia e Kosovës duke i përfillë ta zëmë disa klube të natës. Është dashur që ato dhe të ngjashme të kufizoheshin’, tha ai.

Sipas Tolajt, i vetmi ndikim që autoritetet do të mund të bënin është që t’i mobilizojnë të gjitha kapacitetet për vaksinim të popullatës.

Në Klinikën Infektive të shtirë me Covid-19 janë 62 pacientë ku 55 prej tyre janë me oksigjenoterapi.