Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i urdhëroi zyrtarët e vet ta përgatisin një “përgjigje” ndaj dronëve amerikanë që fluturojnë mbi Detin e Zi, tha kjo Ministri të premten.
Ministria ruse tha se ka një “intensitet të rritur” së voni të dronëve amerikanë mbi Detin e Zi, duke shtuar se ata “mbledhin informata dhe objektiva për armët precize me të cilat ushtria ukrainase furnizohet nga aleatët perëndimorë për të kryer sulme ndaj objekteve ruse”.
“Kjo tregon për një përfshirje të rritur të SHBA-së dhe vendeve të NATO-s në konfliktin në Ukrainë duke ia mbajtur anën regjimit të Kievit”, tha ajo në një komunikatë.
Ajo theksoi se “fluturime të tilla e rrisin dukshëm mundësinë e incidenteve me përfshirjen e avionëve luftarakë rusë, gjë që e rrit rrezikun për konfrontim të drejtpërdrejtë mes aleancës dhe Federatës Ruse”.
“Anëtarët e NATO-s do ta mbajnë përgjegjësinë për këtë”, shtoi ajo.
Ministria theksoi se ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov e ka urdhëruar Shtabin e Përgjithshëm të “bëjë propozime për masat si përgjigje ndaj provokimeve”.
Uashingtoni dhe Moska janë konfrontuar edhe më parë rreth dronëve amerikanë në Detin e Zi. Në një incident më 2023, një avion luftarak rus e dëmtoi një dron amerikan atje, duke bërë që ai të rrëzohej.
Përsëritja e një konfrontimi të tillë mund t’i rrisë tensionet edhe më shumë rreth luftës në Ukrainë.
/Euronews Albania/