Lajme

Rusia nis t’i mobilizojë për luftë të pastrehët dhe nevojtarët

10/12/2022 19:21
nga:Astrit Gashi

Sipas një raporti, autoritetet ruse po mobilizojnë burra nga grupet më të cenueshme të vendit për të luftuar në Ukrainë.

Zyrtarët në Moskë kanë marrë burra nga qendrat e bamirësisë, të pastrehë, nevojtarë si dhe ata nga bujtinat ku jetojnë emigrantët e punës, ka cituar Moscow Times një raport nga uebfaqja e pavarur e lajmeve Mediazona.

Dhjetëra burra të pastrehë janë nxjerrë nga rrugët dhe janë dërguar në zyrat e regjistrimit ushtarak që kur Presidenti Vladimir Putin shpalli një mobilizim “të pjesshëm”.

Një burim i tha Mediazona-s: “Policia vjen këtu pa pyetur njeri. Ata shohin një radhë njerëzish që presin ushqim – dhe më pas i kapin për qafe, kundër dëshirës së tyre”.

“Burrat më pas ngarkohen në autobusë dhe transportohen në zyrat e regjistrimit ushtarak”, tha burimi.