Qeveria ruse ka kërkuar që të shmangen spekulimet mbi shkaqet e rrëzimit të një avioni pasagjerësh të Azerbaijan Airlines, i cili shkaktoi vdekjen e 38 personave në Kazakistan të mërkurën.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ‘do të ishte gabim të parashtronim ndonjë hipotezë përpara përfundimit të hetimit’.
”Ne, natyrisht, nuk do ta bëjmë këtë dhe askush nuk duhet ta bëjë këtë. Duhet të presim derisa të përfundojë hetimi”, ka deklaruar ai.
Avioni Embraer 190 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku mëngjesin e së mërkurës. Ai do të fluturonte për në Grozny në Çeçeni, por u devijua për shkak të mjegullës, tha linja ajrore.
Një pasagjer i mbijetuar i tha televizionit rus se besonte se piloti kishte tentuar dy herë të ulej në mjegull të dendur mbi Grozny përpara se “herën e tretë, diçka shpërtheu”.
Avioni u ridrejtua në aeroportin Aktau, rreth 450 km (280 milje) në lindje.
Pamjet tregojnë avionin duke u nisur drejt tokës me shpejtësi të lartë 3 km (1.9 milje) larg pistës, përpara se të shpërthejë në flakë ndërsa ulet.
Sipas BBC, disa ekspertë të aviacionit kanë sugjeruar se avioni mund të jetë goditur nga sistemet e mbrojtjes ajrore mbi republikën ruse të Çeçenisë.
Ndërkohë, mediat pro-qeveritare në Azerbajxhan citojnë zyrtarë të cilët pretendojnë se një raketë ruse është përgjegjëse për incidentin.
Para se të rrëzohej pranë qytetit kazak të Aktau-t, avioni ishte devijuar përtej Detit Kaspik, nga destinacioni i tij fillestar në Çeçeni drejt Kazakistanit perëndimor.
Nga 67 personat që ndodheshin në bord, 29 mbijetuan.
Azerbajxhani shpalli një ditë zie kombëtare të enjten për viktimat e kësaj tragjedie.