Lajme

Rusia kërcënon për një ofensivë më të madhe ndaj Ukrainës

07/10/2022 08:10
nga:G B

Ushtarët ukrainas luftuan të shtunën për të mbajtur larg forcat ruse përgjatë disa fronteve, thanë zyrtarët.

Një sulm me raketa në qytetin verilindor të Kharkivit plagosi tre civilë, tha guvernatori i tij, megjithëse sulmet kryesore të Rusisë u përqendruan në juglindje të qytetit në Luhansk dhe Donetsk.

Këto dy provinca, pjesë të të cilave mbaheshin nga separatistët pro-rusë përpara fillimit të konfliktit në shkurt, përbëjnë rajonin industrial lindor të Donbasit.

Zyrtarët ukrainas raportuan për sulme në të dyja rajonet të shtunën, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se Moska po grumbullonte forca rezervë nga e gjithë Rusia pranë Ukrainës.

Guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, tha në Telegram se një raketë ruse kishte goditur Druzhkivkan, një qytet prapa vijës së frontit dhe raportoi për bombardime të tjera në vende tjera.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Gaidai, tha në Telegram se forcat ruse “po qëllonin përgjatë gjithë vijës së frontit”, megjithëse një kundërsulm i mëpasshëm ukrainas e kishte detyruar Moskën të ndalonte ofensivën e saj.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se ushtria ruse kishte shënjestruar civilët me qëllim.

“Ajo qëlloi pikërisht në pjesën e banimit, absolutisht qëllimisht, në shtëpitë e zakonshme dhe objektet civile”, tha ai në një deklaratë.

Rusia, e cila pretendoi kontroll mbi të gjithë provincën Luhansk fundjavën e kaluar, mohon të ketë shënjestruar civilët.