Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se operacioni ushtarak rus në Ukrainë është ngadalësuar.
Në konferencën e donatorëve për Ukrainën në Kopenhagë, Danimarka iu bashkua Britanisë së Madhe në dërgimin e ndihmës shtesë për Ukrainën. Wallace tha se luftimet po vazhdojnë, por se Rusia po dobësohet në shumë fusha.
“Ata kanë dështuar deri më tani dhe dyshoj se do të kenë sukses ndonjëherë në pushtimin e Ukrainës. Operacioni i tyre ushtarak ka dështuar dhe ka ndryshuar vazhdimisht deri në pikën ku ata me të vërtetë janë fokusuar vetëm në pjesët jugore dhe lindore të Ukrainës, gjë që është shumë larg nga i ashtuquajturi operacioni i tyre special i cili supozohej të zgjaste tre ditë”, tha Wallace.
“Ato tre ditë tani janë më shumë se 150 ditë, që janë gati gjashtë muaj, me humbje të konsiderueshme të pajisjeve dhe ushtarëve. Putin luajti bixhoz, ai mendoi se në gusht, pas disa muajsh, të gjithë do të lodheshim nga ky konflikt dhe se bashkësia ndërkombëtare do të shpërbëhej, sot e dëshmuam të kundërtën”, shtoi ai.


