Lajme

Rusia ‘ishte dhe mbetet agresori’ – reagime të shumta pas sulmit vdekjeprurës në Sumy të Ukrainës

10 ditë më parë
nga:G C

Udhëheqësit evropianë kanë shfrytëzuar mediat sociale të dielën për të dënuar sulmin e fundit vdekjeprurës të Rusisë në qytetin ukrainas Sumy.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shkroi se “mizoria ruse goditi përsëri”, duke e quajtur sulmin “barbar” në një postim në X.

Më shumë se 30 njerëz u vranë në sulmin me raketa ndërsa njerëzit u mblodhën për të festuar të Dielën e Palmës, sipas zyrtarëve.

Veç të vdekurve, 99 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë 11 fëmijë, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.

Von der Leyen shtoi se “Rusia ishte dhe mbetet agresore, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”, përcjell Telegrafi.

Sulmi në Sumy është sulmi i dytë në shkallë të gjerë që merr një numër kaq të lartë jetësh civilësh në pak më shumë se një javë.

Një sulm vdekjeprurës me raketa në qytetin e lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Kryvyi Rih, më 4 prill vrau rreth 20 njerëz, përfshirë nëntë fëmijë.

Gjenerali në pension Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, tha se sulmi në Sumy kapërceu “çdo vijë të mirësjelljes” dhe se Shtëpia e Bardhë mbeti e angazhuar për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ka shumë civilë të vdekur dhe të plagosur. Si një ish-udhëheqës ushtarak, e kuptoj shënjestrimin dhe kjo është e gabuar. Kjo është arsyeja pse presidenti Trump po punon shumë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai.

Zelensky gjithashtu bëri thirrje për një përgjigje globale ndaj sulmit.

“Bisedimet nuk i kanë ndalur kurrë raketat balistike dhe bombat ajrore. Ajo që nevojitet është një qëndrim ndaj Rusisë që e meriton një terrorist”, tha ai.

Ndërsa shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas gjithashtu dënoi sulmin, duke shkruar për një “shembull të tmerrshëm të intensifikimit të sulmeve nga Rusia ndërsa Ukraina ka pranuar një armëpushim pa kushte”.

Sulmet vijnë një ditë pasi diplomatët e lartë të Rusisë dhe Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike, duke nënvizuar sfidat e negocimit për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.