Lajme

Rusia: Bisedimet me NATO-n ishin të pasuksesshme

01/13/2022 12:49
nga:Gazeta Blic

Kremlini ka dhënë një vlerësim për bisedimet mbi sigurinë që pati me SHBA-në dhe NATO-n këtë javë, duke i përshkruar ato si “të pasuksesshme” dhe tha se kishte mosmarrëveshje për çështje themelore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska e shikon jashtëzakonisht negativisht një projektligj që u bë publik nga demokratët e Senatit të SHBA-së dhe se koha e tij nënkuptonte se dukej si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Moskës.

Peskov tha se dy runde bisedimesh deri më tani midis Rusisë dhe Perëndimit kishin prodhuar disa “nuanca pozitive”, por se Moska po kërkon rezultate konkrete, jo nuanca.

Bisedimet, të cilat u zhvendosën në Vjenë të enjten për një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përqendrohen rreth një sërë kërkesash sigurie që Moska i ka bërë Perëndimit.

Legjislacioni i propozuar i sanksioneve, i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, i ka në synim zyrtarët e lartë të qeverisë dhe ushtarakët rusë, duke përfshirë presidentin Vladimir Putin dhe institucionet kryesore bankare nëse Moska bën veprime ushtarake kundër Ukrainës.