Lajme

Rusët e publikuan bisedën me Kurtin disa ditë pas vizitës së Presidentit të vërtetë të Letonisë në Kosovë

3 ditë më parë
nga:Sh R

Para gjashtë ditësh, presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, qëndroi në Kosovë në një vizitë zyrtare. Ai u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me të cilën zhvilloi një takim. Rinkēvičs përpos saj u takua me komandantin e KFOR-it, si dhe qëndroi në kampin e tij për të takuar ushtarët letonezë që shërbejnë në Kosovë. Pas këtyre takimeve, ai përfundoi vizitën pa e takuar shefin e qeverisë, Albin Kurti.

Disa ditë pas vizitës se presidentit letonez, u publikua një video me Kurtin në grackën e dy komedianëve rusë, të cilët shpesh targetojnë liderët e vendeve për “video-pranks” e tyre.

Zyra e Kryeministrit e pranoi të mërkurën që Kurti ka rënë pre e dy komedianëve më 11 shkurt “teksa po merrte urime dhe mesazhe” që i kishte fituar zgjedhjet.

Megjithatë, presidenti i Letonisë u kthye në vendin e tij pa e takuar Kurtin. Nuk dihet nëse ka qenë në pyetje agjenda e dy palëve apo diçka tjetër.

Sidoqoftë, Osmani pas takimit që pati me të e përshkroi si “një mik i çmuar i Kosovës dhe mbështetës i palëkundur i rrugëtimit tonë euroatlantik”.

“Diskutuam për forcimin e bashkëpunimit bilateral, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe sigurinë rajonale. E falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe për angazhimin e Letonisë në KFOR”, kishte thënë Osmani.

Presidenti Rinkēvičs në njoftimin zyrtar që bëri për vizitën në Kosovë theksin e kishte vënë te trupat e tij në KFOR.

Ai kishte theksuar “rëndësinë e pjesëmarrjes së Letonisë në operacionin e KFOR-it për sigurimin e stabilitetit rajonal dhe kontributin në zhvillimin e Forcave të Armatosura Kombëtare.

Ai vlerësoi gjithashtu nivelin e lartë të profesionalizmit të demonstruar nga ushtarët letonezë, i cili është njohur dhe vlerësuar nga forcat aleate.

“Pjesëmarrja e trupave letoneze në operacionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë është një kontribut i rëndësishëm, jo vetëm në rritjen e përvojës individuale të çdo ushtari, por edhe në zhvillimin dhe avancimin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kombëtare përmes bashkëpunimit të ngushtë operacional me forcat aleate”, kishte thënë  ai.

Rinkēvičs në Kosovë riafirmoi mbështetjen e Letonisë për integrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Letonia mbetet e përkushtuar për të mbështetur procesin e reformave të Kosovës dhe miraton heqjen e masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës”.

Ndërkaq, në një konferencë të përbashkët për media me Osmanin ai kishte dalë kundër masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Duhet të hiqen masat kufizuese, nuk e di nëse do të shënohet përvjetori i dytë i këtyre masave, por qëndrimi i Letonisë është i qartë, masat kufizuese duhet të largohen dhe do ta vazhdojmë të avokojmë për këtë”.