Lajme

Rundi i ri i dialogut, paralajmërimi i “frikshëm” i analistëve: Kurti do të bëjë kompromise të reja karshi Serbisë

10/17/2024 17:25
nga:G C

Pas paralajmërimeve për fillimin e një rundi të ri dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme, analisti politik, Arbnor Sadiku shpreh dyshime në lidhje me riformatimin e procesit deri pas zgjedhjeve të reja të shkurtit 2025.

Sipas tij, Kryeministri Albin Kurti është duke e kënaqur Bashkimin Evropian, veçanërisht Gjermaninë, me disa lëshime për lejimin e mallrave serbe në Kosovë dhe lëvizjen e qytetarëve boshnjakë.

“Mendoj se deri pas zgjedhjeve të reja të shkurtit 2025, nuk do të ketë riformatim të dialogut. Kurti, i kënaqi BE-në, veçanarisht Gjermaninë, me disa karrota për lejimin e mallrave serbe në Kosovë dhe lejimin e qytetarëve boshnjak me lëviz lirshëm në Kosovë, në mënyrë të njëanshme”, tha Sadiku për GazetaBlic.

Analisti thekson se këto lëshime janë një shenjë se Kurti do të vazhdojë me kompromise të reja.

“Kjo do të thotë që Kurti do të vazhdojë me kompromise të reja”, shton ai.

Por, analisti politik, Jeton Halimi ka theksuar mundësinë e zhvillimeve konkrete.

Ai për GazetaBlic thotë se, këto bisedime duhet të bazohen në marrëveshjet e arritura nga ish-qeveritë e kaluara, përfshirë marrëveshjen e Orhrit të vitit të kaluar mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç.

“Rundi i ri i bisedimeve me Serbinë fillon javën e ardhshme dhe mund të ketë zhvillime konkrete, gjithmonë duke u bazuar në marrëveshjet e arritura nga ish-qeveritë e kaluara, siç është marrëveshja e Orhrit, e arritur vitin e kaluar mes Kurtit dhe Vuçiçit. Besoj se presioni shumë i madh nga amerikanët dhe evropianët për të dyja palët do të ishte shumë i dobishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, thotë Halimi.

Ai thekson se Kosova ka një obligim ligjor dhe shtetëror për themelimin e Zajednicës, ndërsa kërkon që Vuçiçi të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura më parë.

“Kosova ka obligim ligjor dhe shtetëror për themelimin e Zajednicës, ashtu siç thoshte Kurti kur ishte në opozitë. Edhe Vuçiçi duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura kohë më parë”, tha Halimi.

Halimi kritikon Vuçiçin për përdorimin e preteksteve para popullatës serbe, duke thënë se ky veprim ka si qëllim manipulimin e tyre. Ai gjithashtu thekson se protestat e opozitës dhe OJQ-ve për një ambient të pastër dëshmojnë se Vuçiçi po përballet me situata të vështira për kliken e tij dhe opinionin e gjerë.

Në përfundim, analisti shpreson se do të ketë lëvizje pozitive në bisedimet që do të zhvillohen javët e ardhshme, duke e parë këtë si një mundësi të rëndësishme për të dyja palët.

“Vuçiçi e përdor pretekstin para popullatës serbe në Kosovë dhe Serbi, vetëm me një qëllim të vetëm: manipulimin e tyre deri në pikën e fundit. Protestat e opozitës dhe OJQ-ve për ambientin e pastër janë dëshmi shumë e qartë se Vuçiçi ka një hall të madh për t’i tejkaluar këto situata jo të mira për kliken e tij dhe opinionin e gjerë. Herrvatjet e fundit dhe raportet me Kosovën ai i mban më shumë për t’i kaluar “lumin pa u lagur”, pasi e ka kuptuar politikën e tij tërësisht të papërputhshme me realitetin si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.Po shpresoj shumë se do të ketë lëvizje pozitive në bisedimet që do të zhvillohen javët në vijim”, tha Halimi për GazetaBlic.

Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

ShBA: Normalizimi Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke