Sporti

Rummenigge: Lewandowski? S’mund privohemi nga njëri që shënon 60 gola në vit

05/14/2021 16:43
nga:Mergim Rreci

Karl-Heinze Rummenigge, administrator i deleguar i Bayernit të Mynihut, në një prononcim të fundit për mediet në Gjermani ka siguruar tifozët e kampionëve të Bundesligës se Robert Lewandowski nuk ka shanse të largohet.

Drejtuesi i lartë i bavarezëve reagoi pas thashethemeve që kanë qarkulluar prej disa javësh për një lamtumirë të mundshme të sulmuesit polka: “Unë nuk kam asnjë dyshim se ai do të qëndrojë”.

Lewandowskit, i cili ka shënuar 292 gola në 327 ndeshje që kur u transferua në Bavari në vitin 2014, i përfundon kontrata në vitin 2023. Rummenigge në mikrofonat e “Sport1” theksoi se ai mbetet shumë i rëndësishëm për lojën e Bayernit: “Kush do ta privonte veten nga një futbollist me 60 gola në vit? Pastaj, menaxherët e tij, nuk na kanë thënë asgjë për largimin e tij të mundshëm”.

Prania e Lewandowskit në organikën e kampionëve të Bundesligës shihet madje si pengesë për blerjen e Erling Haalandit. Pak ditë më parë, Oliver Kahn, ish-portieri legjendar gjerman, që do të marrë rolin e Rummenigges më 1 janar 2022, theksoi se Bayerni nuk ka pjesë të shpenzojë shuma marramendëse për një lojtar si Haaland, sado i mirë të jetë, kur ka Lewandowskin, i cili mund ta ruajë nivelin e tij edhe për shumë sezone.