Lajme

Rumania: Qëndrimi ynë ndaj Kosovës mbetet i njëjtë

03/03/2023 16:45
nga:Astrit Gashi

Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë ka rikujtuar se vendi nuk e ka njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe ka theksuar se qëndrimi i atij vendi mbetet i pandryshuar, kanë raportuar mediet serbe, përcjellë GazetaBlic.

Në një përgjigje me shkrim mediat serbe, ministria e Jashtme rumune theksoi se mbështet plotësisht dialogun me mbështetjen e BE-së, si kanali kryesor për normalizimin efikas dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili mund të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

“Ne mirëpresim gatishmërinë për kompromis, që u demonstrua nga liderët si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë gjatë takimit në Bruksel më 27 shkurt. Ne shprehim shpresën se negociatat e mëtejshme për aneksin e marrëveshjes së pranuar së shpejti do të japin rezultate dhe se zbatimi mund të fillojë”, thuhet në përgjigjen me shkrim, përcjellë GazetaBlic.