Lajme

Rukiqi: U dëshmua që kjo qeveria i mbron të korruptuarit e komunikimin me terroristët, asgjë s’ndodh pa aprovimin e Kurtit

10/17/2024 12:38
nga:Sh R

Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi thotë se “kjo qeveri ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe e ka përbuzur besimin qytetar”.

Ai shkroi në Facebook se Qeveria është “zhytur në korrupsion”.

“Ne fakt, qeveria që erdhi me parullen e qeverisjes, “me duar të pastra,” po del të jetë zhytur në korrupsion, me përfshirjen direkte të instaancave më të larta, në formë të strukturave parapolitike me elemente kriminale, në aferat korruptive të mafisë së energjetikës në krye me Martin Berishajn dhe Nagip Krasniqi, të qindra tenderëve sekret, falje të borxheve milionëshe”.

Rukiqi thotë se qeveria po i mbron të korruptuarit e komunikimet me terroristët dhe se kjo nuk ndodh pa aprovimin e kryeministrit Albin Kurti.

“Dëshmitë tregojnë qartë, kjo qeveri ka mbrojtur të korruptuarit, ka mbrojtur komunikimin me terroristët, edhe kur faktet, komunikimet dhe akuzat ishin të bazuara dhe të qarta. Për më tepër, është e pamundur të besohet se Kryeministri nuk është në dijeni për korrupsionin që po lulëzon përreth tij dhe per komunikimet me “braca” dhe terroristë. Asgjë nuk ndodhë pa aprovimin e tij dhe të strukturave parapolitike të instaluara nga ai”, shkroi ai.

Rukiqi tha se LDK-ja mbështet hetimet e organeve të drejtësisë dhe se do të vazhdojnë të jenë të zëshëm.

“Ne në LDK mbështesim hetimet e organeve të drejtësisë dhe angazhohemi që të gjithë ata të përfshirë në korrupsion të përballen me drejtësinë. LDK do të vazhdojë të qëndrojë e zëshme kundër çdo forme korrupsioni, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e Kosovës, ashtu si jemi angazhuar deri sot”.