Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të importeve nga Kina, duke e cilësuar këtë trend si alarmant për ekonominë dhe sigurinë strategjike të vendit.
Në një reagim publik, Rukiqi thekson se brenda vetëm katër vitesh, nga viti 2021 deri në vitin 2025, importet nga Kina janë rritur për mbi 100 për qind.
“Në vetëm katër vite, importet nga Kina janë rritur nga rreth 452 milionë euro në afërsisht 920 milionë euro”, ka shkruar ai.
Sipas Rukiqit, Kosova nga Kina importon kryesisht mallra të lira, me cilësi të ulët dhe me vlerë minimale të shtuar, të cilat kanë ndikim negativ në ekonominë vendore.
“Këto produkte dëmtojnë prodhimin vendor, ulin standardet e tregut dhe krijojnë konsum afatshkurtër, jo zhvillim afatgjatë”, ka theksuar Rukiqi.
Ai ka shtuar se përtej aspektit ekonomik, çështja e varësisë nga importet kineze ka edhe dimension strategjik dhe të sigurisë kombëtare, duke përmendur faktin se Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka qëndrime kundër interesave të saj në arenën ndërkombëtare.
“Kina është një vend armiqësor ndaj Kosovës. Varësia ekonomike nga një vend i tillë nuk është vetëm çështje tregtie, por çështje strategjike dhe e sigurisë kombëtare”, ka deklaruar ai.
Rukiqi ka vlerësuar se tarifat aktuale për mallrat nga Kina janë joadekuate dhe nuk reflektojnë as rrezikun strategjik dhe as ndikimin negativ ekonomik mbi industrinë dhe punësimin vendor.
Duke folur për hapat që duhet të ndërmarrë qeveria e ardhshme, ai ka kërkuar rishikim serioz të politikave tregtare në tri drejtime kryesore.
“Qeveria e re duhet të fokusohet në zëvendësimin e importeve përmes mbështetjes reale të prodhuesve vendorë, rritjen e eksporteve drejt tregjeve të BE-së dhe vendeve mike, si dhe vendosjen e tarifave strategjike mbrojtëse për mallrat kineze”, ka thënë Rukiqi.
Sipas tij, një nga masat konkrete duhet të jetë vendosja e tarifave minimale prej së paku 30 për qind për produktet e importuara nga Kina.


