Lajme

Rrusta, PSD: Pozita po e shpërdoron temën e sigurisë për të pasur përfitime për vota dhe pushtet!

07/03/2024 09:15
nga:N K

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se “qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës”.

Në lidhje me këtë deklaratë të Konjufcës kanë folur për “Gazeta Blic” nga partia Socialdemokrate (PSD).

Zyrtarja e këtij subjekti politik, Teutë Rrusta, tha se një temë aq serioze po merr më tepër trajtim spekulativ sesa faktual për shkak të paralajmërimeve të shpeshta për sulme.

“Konjufca është duke shpërdoruar me gjysmë informatat që mund t’i ketë dëgjuar. Kjo është edhe pakujdesi dhe rrezikim të rendit të sigurisë në Kosovë, me alarmime të tilla të shpeshta. Nëse ka diçka që qytetarët duhet ta kenë në vëmendje, ajo duhet të jetë thirrje e informuar dhe e sigurt. Tani, pyetja është, nëse këto deklarata janë thirrje për mobilizim për tu mbrojtur nga Serbia, apo thirrje për mobilizim votash. Tema e veriut dhe sulmeve eventuale kanë qenë ushqim i vazhdueshëm i qeverisë Kurti.

“Tema e sulmeve nga Serbia ka marrur trajtën e fabulës popullore të bariut me delet dhe ujkun. Në këtë rast, paralajmërimet e shpeshta për sulmin nga “ujku” ia humbin rëndësinë dhe zbrazin rrezikun prej sulmit potencial. Kështu, një temë aq e ndjeshme dhe serioze po merr trajtim më tepër spekulativ, sesa faktual”, potencoi ajo.

Rrusta tha se pozita po e shpërdoron temën e sigurisë për të pasur përfitime për vota dhe pushtet.

“Ambicja e Serbisë është evidente, por qasja e kryeministrit dhe vartësve të tij nuk duket të jetë fare e atij niveli të përgjigjes dhe shqetësimit, meqë me kaq lehtësi flasin për sulme, sa herë kanë mikrofonin para hundës. Duke e shpërdoruar temën e sigurisë, ata e kanë kthyer atë në resurs për ndezje të emocioneve me qëllim përfitimi. Vota, poena, pushtet, lavdi, heroizëm. Në fund të ditës, këtu po e pësojnë qytetarët, sepse po rritet armiqësia, varësisht a e beson ose jo tregimin e pushtetit, versionin zyrtar të tij për interesin e Kosovës. Ky është reduktim i interesit të shtetit në atë partiak”, tha Rrusta.

Ajo tha se deklarata të tilla më tepër i sheh si komunikim me elektoratin dhe si populizma.

“Ka mundësi që të ketë krijuar ndonjë shqetësim, por përherë e më pak, për shkak të shpeshtësisë dhe pakujdesisë sesi flitet për këtë temë. Mirëpo une i shoh këto deklarata më tepër në komunikim me elektoratin. Militantët do të bëhen kinse po ndihen të rrezikuar për ta vendosur qeverinë në detyrë të mbrojtjes. Militantët bëhen kinse po shqetësohen, ndërsa Kurti kinse po i mbronë. Nuk ka asgjë më të rrezikshme për sigurinë sesa popullizmi. Kush na shpëton nga kjo? Mendja kritike dhe organizimi, mendoj unë”, tha Rrusta për GazetaBlic.

/GazetaBlic/

Konjufca: Qindra njerëz në Serbi po ushtrojnë dhe po përgatiten për një sulm në Kosovë