Lajme

Rruga për Podujevë, Mitrovicë e Autostrada e Gjilanit, Kurti: Do t’i përfundojmë, qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë

03/23/2024 07:59
nga:Sh R

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar dje se gjatë qeverisjes së tij do të përfundojnë punët që “qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë”, duke përmendur rrugën Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë dhe Autostradën Prishtinë-Gjilan.

Në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në 3-vjetorin e qeverisjes, Kurti ka thënë se investimet që po bëhen në inftastrukturë janë të karakterit transformues dhe përbashkues me shtete në rajon.

“Investimet të cilat po i bëjmë në infrastrukturë janë të karakterit transformues dhe përbashkues me shtete në rajon. Po, do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë, si rruga Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, dhe autostrada Prishtinë-Gjilan”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen e nënshkuar me Maqëdoninë e Veriut për rrugën Prizren-Tetovë dhe investimet në hekurudha.

“Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe gjithashtu, kemi bërë gjithçka nga ana jonë si palë për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, pra në marrëveshje me Malin e Zi”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se janë krenar dhe ballëhapur për këto tri vjet qeverisje.

“Punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë. Kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Mbi 12 mijë gra më shumë kanë vende pune përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizim të punësimit. Por, formalizmi i ekonomisë është përpjekje e vazhdueshme e qeverive, dhe kur ajo ndodhë është po ashtu sukses i Qeverisë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.