Futbollistët e Kombëtares Shqiptare, kanë treguar pjesëza nga historitë e tyre në kualifikimet e Shqipërisë për në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” të titulluar “Rruga drejt Euro 2024”.
Portieri i skuadrës ‘’KUQ E ZI’’, ka thënë se Kombëtare ka pak kohë për t’u përgatitur mirëpo Sylvinho nuk u ka dhënë detyra të ekzagjeruara, vetëm se ekipi është munduar ta ndihmojë trajnerin.
Ai ka folur edhe për ndeshjen me Poloninë që nuk ishte startues duke treguar kështu edhe bisedën me trajnerin Sylvinho.
“Në Kombëtare ka pak kohë për t’u përgatitur. Sylvinho nuk na dha detyra të ekzagjeruara, por na dha qetësi. Jemi munduar të ndihmojmë trajnerin. Në ndeshjen e parë me Poloninë më ndali trajneri dhe më tregoi që do ta nisja nga stoli. Ndoshta përgjigja ime e surprizoi pak pasi isha i përqendruar tek ecuria e ekipit jo e Berishës. Pas ndeshjes më përgëzoi. Këto fjalë më bënë të ndihem mirë dhe ishte edhe një mesazh për djemtë pasi asnjë nuk është i pazëvendësueshëm por të gjithë jemi të rëndësishëm”, ka deklaruar portieri i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha në dokumentarin e Super Sportit.