Sporti

Rrudhani optimist për fitoren në ndeshjen ndaj Rumanisë

09/03/2024 16:01
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës i ka vazhduar sot përgatitjet për dy ndeshjet e shtatorit, kundër Rumanisë dhe ndaj Qipros, të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Futbollisti, Donat Rrudhani, është shprehur i bindur për fitore ndaj rumunëve në “Fadil Vokrri”.

“Atmosfera është shumë e mirë këtu gjithmonë, është krenari e madhe. Stërvitjet e para kanë shkuar mirë edhe pse unë dje nuk isha në stërvitje shkaku që luajta të dielën, por sot ka qenë një stërvitje e mirë intensive, angazhim shumë i madh nga gjithë lojtarët edhe kemi punuar shumë edhe taktikisht sot”, tha Rrudhani.

“Besoj se mund të presim vetëm fitore, ne jemi të gjithë të bindur se do e fitojmë lojën me Rumaninë. Të gjithë do të luajmë të gjithë për tri pikë. E dimë se çka ka ndodh ndeshjen e fundit andaj e kemi edhe një motiv shtesë nga loja e fundit dhe shpresoj se vetëm do të fitojmë”, theksoi ai.

“Faleminderit për mbështetjen gjithmonë si në humbje dhe në fitore janë gjithmonë këtu dhe kjo është edhe një krenari e madhe për ne, është shumë rëndësishme për neve mbështetja e dardanëve dhe e gjithë tifozëve”, tha anësori dardan pas stërvitjes.

Kombëtarja e Kosovës, sot e zhvilloi stërvitjen e dytë në Kampin Nacional në Hajvali.

“Dardanët” të premten më 6 shtator do të luajnë kundër Rumanisë, derisa ndeshjen e dytë do ta zhvillojnë kundër Qipros, si mysafire tri ditë më pas.