Lajme

“Rrahje të shpejta të zemrës”, “Dëmtime në flokë” – Hematologia flet për aneminë, rrezikun dhe parandalimin

04/25/2024 14:09
nga:N K

Specialistja e Hematologjisë, Miranda Hoti, ka folur rreth anemisë tek personat në moshë të ndryshme.

Ajo ka treguar se çka është anemia si dhe pasojat e kësaj semundje, teksa jep edhe detaje për vitaminat që i mungojnë trupit e që sjellin anemi.

“Anemia është një gjendje shëndetësore në të cilën trupi ynë nuk prodhon sa duhet qeliza të kuqe të gjakut”, tha ajo në një prononcim për GazetaBlic.

“Anemia vjen si pasojë e shumë shkaktarëve dhe më e shpeshta është anemia si pasojë e mungesës së hekurit, pastaj kemi aneminë si pasojë e mungesës së vitaminës B12, Acidit Folik, Aneminë Hemolitike, Aneminë e sëmundjes kronike dhe aneminë hipoplastike/aplastike”, deklaroi Hoti.

Krahas kësaj,  Hoti tregon se cilat ushqime kanë më së shumti hekur që ndihmojnë kundër anemisë.

“Ushqimet, të cilat kanë më së shumti hekur janë ushqimet shtazore, por edhe ato bimore, kanë një sasi të konsiderueshme të hekurit”, u shpreh ajo.

Ajo tutje tregon se tek cilët persona shfaqet anemia më së shumti, dhe cila është arsyja.

“Kjo nuk do të thotë që burrat nuk mund të kenë anemi si pasojë e mungesës së hekurit, normalisht është shumë më e rrallë se sa te femrat e te fëmijët, por edhe meshkujt mund të kenë anemi si pasojë e mungesës së hekurit e sidomos pacientët me probleme gastrointestinale. Një kategori tjetër, e cila gjithashtu është e rrezikuar nga anemia janë edhe të moshuarit, për të vetmen arsye sepse me rritjen e moshës të gjitha organet ngadalësojnë punën e tyre,” shtoi ajo

Hoti thotë se anemia nuk ka ndonjë simptomë, ajo thotë se mund të zbulohet përmes një analize rutinore.

Hematologia tregon se kur shfaqen simptomat e anemisë.

“Anemia në fillimet e saj nuk ka ndonjë simptomatologji karakteristike, ajo mund të zbulohet nga analizat rutinore, nga një pasqyrë e thjeshtë e gjakut, mirëpo me thellimin e anemisë paraqiten simptomat, paraqitet një lodhje e paspjegushme, plogështi, pacientët nuk mund t’i tolerojnë as ushtrimet më të lehta, duart dhe këmbët e pacientëve janë në gjendje më të ftohtë se zakonisht, një zbehje në fytyrë, kokëdhimbje, marramendje, rënje dhe dëmtime në flokë dhe thonjë, paaftësi koncentrimi, përgjumje dhe rrahje të shpeshta të zemrës”, tha ajo.

Më tej hematologia tregon se si duhet të parandalohet anemia, dhe çfarë analiza duhet të bëjnë personat të cilët janë të prekur.

“Për të parandaluar aneminë duhet që në mënyrë rutinore pacientët të bëjnë pasqyrën e gjakut dhe të konsultohet hematologu për të vazhduar me realizimin e analizave tjera shtesë, varësisht nga lloji i anemisë që po dyshohet”, u shpreh ajo.

“Ndërsa anemia hemolitike, anemia hipoplastike dhe aplastike janë gjendje më të rënda shëndetësore dhe duhet të trajtohen në institucione shëndetësore”, tha Hoti për GazetaBlic.