Lajme

Rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, Jashari: Është bërë për fushatë elektorale

01/10/2025 17:51
nga:Y I

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari thotë se është bërë për fushatë elektorale.

Jashari për Telegrafin ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti është anti-UÇK, për të cilin tha “që pesë vite godet vlerat e luftës”.

“Në një qeveri normale çdo ngritje varësisht sa për qind i gëzon këto kategori, por kemi të bëjmë me një qeveri, me një kryeministër anti-UÇK, i cili që pesë vite godet vlerat e luftës dhe tash mendoj që më shumë kjo është bërë për fushatë elektorale”, tha ai.

Duke komentuar këtë vendim, Jashari u shpreh se kjo rritje nuk është në përputhje me inflacionin në vend.

“Tani që nga nesër fillon fushata e ai bën ngritje me 20 për qind…mendoj që kryeministri së pari duhet ta dijë se sa është inflacioni në Kosovë dhe kjo nuk është ngritje në përputhje me inflacionin, pasi inflacioni është më i lartë dhe kjo ngritje nuk e rregullon gjendjen ekonomike të këtyre kategorive.

Në këtë rast për veteranët e luftës të cilët i goditi duke i hequr nga lista pagës minimale dhe ngritja prej 20 për qind do të thotë që veterani i luftës me këtë ngritje pensionin e merr 204 euro, e cila është e pamjaftueshme dhe nuk e zgjidh problemin e këtyre kategorive”, tha ai duke shtuar se “do të duhej të kishte ngritje mbi 50 për qind, e cila mendoj që edhe kjo do të ishte pak, por që e përafron një jetë normale të kategorive të dala nga lufta”.

Edhe ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se ky vendim nuk është rritje e pensionimeve për veteranët, por zbritje.

“Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350 euro), nga 170 euro sa i kanë marrë do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180 euro. E tash, vendimi prej 20 për qind rritje në kohë fushate është 34 euro.

Pra, në vend se veteranët t’i merrnin 350 euro, tash do t’i marrin 204 euro”.

Tutje ai theksoi se çështja e “verifikimit” të veteranëve nga kjo qeveri ka qenë vetëm farse.

“Nëse votuesi mashtrohet përsëri kjo është çështje e tij, por kaluan katër vite dhe çështja e “verifikimit” të veteranëve nga kjo Qeveri ka qenë vetëm farsë e që i është dashur dhe i duhet vetëm për opinionin publik, çështje e cila është e një procesi gjyqësor i cili nuk ka përfunduar ende.

Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre, është që mos t’i besojnë më mashtrimit”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e pensioneve prej 20 për qind për kategoritë e dala nga lufta.