Lajme

Rritja e kredive në Kosovë, shpresë dhe shqetësime për ekonominë

12/28/2024 23:40
nga:Gazeta Blic

Në vitin 2024, qytetarët e Kosovës morën 768.9 milionë euro më shumë kredi krahasuar me vitin 2023, duke shënuar një nga rritjet më të mëdha në historinë bankare të vendit.

Sipas ekspertit të financave Milazim Abazi, kjo rritje përfaqëson një zhvillim pozitiv, që reflekton rritje ekonomike dhe investime të qëndrueshme.

“Rritja e kredive është mirë për Kosovën, është pozitive, domethënë zhvillim dhe rritje e investimeve. Një rritje kaq e madhe, brenda një viti, është ndër më të lartat në historinë e bankave në Kosovë dhe duhet interpretuar vetëm në terma pozitivë,” deklaroi Abazi në Tv Dukagjini.

Ndërkohë, Berat Rukiqi, ish-kryetar i Odës Ekonomike, tash zyrtar i LDK-së shfaqi shqetësim lidhur me këtë trend, duke paralajmëruar për mundësinë e problemeve me likuiditetin bankar.

Ai theksoi se rritja e depozitave po ecën me një ritëm shumë më të ulët se rritja e kredive, çka mund të shkaktojë vështirësi për bankat në ofrimin e kredive të reja.

“Nëse ky trend vazhdon edhe vitin tjetër, bankat do të përballen me sfida për të plasuar kredi të reja, pasi rritja e depozitave është dyfish më e vogël se rritja e kredive,” theksoi Rukiqi.

Gjendja u bë veçanërisht e dukshme në nëntor 2024, kur totali i kredive arriti në 5.668 miliardë euro, një rritje prej 768.9 milionë euro krahasuar me dhjetorin 2023.

Adem Qorolli, ekspert i ekonomisë, e cilësoi këtë nivel si alarmant, duke theksuar se shuma e kredive tashmë ka tejkaluar buxhetin e shtetit për vitin 2024, që është 3 miliardë e 314 milionë euro.

“Kur kreditë kalojnë buxhetin e shtetit, kjo është alarmante,” tha Qorolli.

Ekspertët paralajmërojnë se ky nivel i lartë i kredive mund të ketë pasoja të paparashikuara për likuiditetin dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.