Burim Ejupi, drejtor në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), është i ftuari i kësaj jave tek ‘Blic Interview’ nga Astrit Gashi.
Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ku sipas raportimeve të fundit, kjo gjë do të ndodhë nga muaji prill.
Kompanitë që operojnë sektorin e energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesa për rritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike.
KEDS-i ka kërkuar rritje të rrymës pë 30 për qind dhe kjo gjë do të hyjë në fuqi më 1 prill të këtij viti.
Ejupi tha se kjo gjë po ndodh për shkak të kërkesës së madhe dhe shpenzimit të energjisë elektrike nga qytetarët e Kosovës.
“Arseyja është se ne nuk kemi kapacitete të reja gjeneruese dhe problemi i ndërtimeve që po bëhen në gjithë vendin, duke u bazuar se mënyra e vetme e ngrohjes për qytetarët po është energjia elektrike. Derisa ekziston kjo gjendje, çdo vit do të na shtrenjtohet rryma. Rrymë e lirë është vetëm atëherë kur ka prodhim, ndoshta me disa investime në Kosovën A dhe B, mund të prodhojmë pak më shumë. Megjithatë, ka kaluar ajo koha e energjisë së lirë dhe nëse duam ta kemi të tillë, duhet ta kursejmë energjinë elektrike. Gjatë muajit dhjetor, kur erdhi edhe disapora jonë në Kosovë, kërkesa ishte shumë e madhe për energji elektrike, andaj duhej të importohej, kur dihet që çmimet në këtë kohë janë shumë të shtrenjta. Pra, si rezultat i kërkesës së madhe rritet importi, andaj edhe vjen shtrenjtimi i rrymës“, ka thënë Ejupi.
/GazetaBlic/