Nesër (e premte), duke filluar nga ora 14:00, kryetari i Partisë Socialdemokrate, i ka ftuar të gjithë krerët e partive opozitare, për të diskutuar rreth mënyrës se si të vazhdohet tutje kundërshtimi i vendimit për rritje të çmimit të rrymës, raporton Gazeta Blic.
Mirëpo, përkundër që ftesa e Molliqajt për partitë opozitare ishte publike dhe se ato u janë shkuar veç e veç në mënyrë zyrtare secilit kryetar të partive në opozitë, ende nuk kanë kthyer përgjigje qoftë pozitive, apo negative.
Kjo u konfirmua në një bisedë për Gazeta Blic, nga zyrtari i PSD-së, Nol Nushi.
Nushi thotë se përkundër që ende nuk kanë konfirmim qoftë pozitiv apo negativ nga krerët e partive politike opozitare për takim, janë duke pritur deri nesër të shohin se çfarë do të ndodhë.
“Ftesat fizike dhe elektronike kanë shkuar te të gjitha organizatat, partitë dhe individët që mund të jenë të interesuar të përfshihen në këtë diskutim. Ne nuk kemi kërkuar konfirmime prandaj duhet të presim për takimin e nesërm”, tha Nushi për Gazeta Blic.
Mirëpo, ai thotë se mbesin optimistë që përfaqësues nga PDK, LDK dhe AAK, të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Molliqaj.
“Unë nuk mund të paragjykoj vendimin e partive. Me aq sa kemi dëgjuar nga deklaratat publike, mbesim optimistë për një bashkërendim të hapave. Në fund të takimit të nesërm do të analizojmë dhe planifikojmë veprimet e ardhshme”.
I pyetur se a do mund PSD të rezistojë e vetme kundër vendimit të ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike, Nushi thotë se gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që kundërshtimi i këtij vendimi të bëhet më i madh.
“E rëndësishme është që të ketë kundërshtim sa më të madh, në të gjitha format demokratike. Rezultati është i preferueshëm, dhe bëhet më lehtë i arritshëm nëse ky organizim është më i madh dhe më insistues”, tha ndër të tjera zyrtari i PSD-së.
Gazeta Blic ka kontaktuar me zyrtarë të tri partive opozitare, për të marrë një konfirmim nëse nesër do t’i përgjigjen thirrjes.
Xhafer Tahiri, zyrtar për media në LDK, deri në këto momente, nuk ka konfirmuar nëse subjekti që përfaqëson do të shkojë në takimin e thirrur nga Molliqaj, anipse në bisedë për Gazeta Blic, është zotuar se do ta jap një përgjigje lidhur me pyetjet e gazetës.
Njësoj ka vepruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se duhet të konsultohet me partinë për të kthyer një përgjigje më vonë për këtë.
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se gjendet në vizitë zyrtare në Shqipëri, me kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, e që po edhe Tahiri, ka thënë se më vonë mund të ketë përgjigje në pyetjen e redaksisë.
Tri partive opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, u kanë dështuar rezolutat dhe seancat e thirrura nga ta, për çështjen e ngritjes së çmimit të energjisë.
Të tri partitë, janë zotuar se do të ndjekin rrugët ligjore, për ta dërguar vendimin e ZRRE-së, fillimisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e më pas në organin më të lartë kushtetues në vend: Gjykatën Kushtetuese.
Kësisoj, PDK, LDK, AAK, kanë lënë të nënkuptohet se nuk do të zgjedhin rrugën, ose sheshet, për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, që nënkupton se nuk do t’i bashkohen çfarëdo thirrje të PSD-së, për protestë.
Dardan Molliqaj, kryetari i PSD-së, pavarësisht qëndrimeve të opozitës, ka paralajmëruar disa herë, se protestat kundër rritjes së çmimit të rrymës në Kosovë, nuk do të ndalen.
@Gazeta Blic